Avionë amerikanë, me ndihma, kanë kaluar mbi Gaza, duke hedhur nga ajri, pakot e ndihmave për banorët. 38 mijë pako ushqimore u lëshuan me parashuta nga 3 avionë ushtarakë, në bashkëpunim me forcat ajrore jordaneze, siç shpjegoi më vonë Qendra e Komandës Amerikane.
Përplasjet nisën edhe në Gaza, kur qindra vetë u hodhën me nxitim mbi pakot me ndihma, kush e kush të marrë sa më shumë.
Zyrtarët amerikanë thanë se kjo ishte vetëm ndihma e parë, e një liste të gjatë të njoftuar prej të premtes nga Presidenti Joe Biden. Ai premtoi se do të nxitojë të dërgojë ndihma humanitare në Gaza, sidomos pas vdekjes së më shumë se 100 personave, që tentuan të përfitojnë ndihmat nga konvoji të enjten.
Vende të tjera përfshirë Britaninë, Francën, Egjiptin dhe Jordaninë kanë lëshuar më herët ndihma nga ajri për në qytetin e Gazas por kjo ishte e para ndihmë që erdhi nga Amerika. Agjencitë e ndihmave thanë se kjo mënyrë e ndërhyrjes nga ajri, është e pamjaftueshme, e shpenzueshme dhe shumë komplekse.
Në incidentin e të enjtes, 112 vetë u vranë dhe më shumë se 760 të tjerë u plagosën në përpjekje për të marrë disa nga pakot teksa konvoji i mjeteve me ndihma udhëtonte në jugperëndim të qytetit të Gazas.
Hamas akuzoi Izraelin se qëlloi ndaj civilëve, por Izraeli e mohoi. Në Gaza, sipas autoriteteve zyrtare, mes të cilave edhe Kombet e Bashkuara, kanë mbetur më pak se 576 mijë vetë, vetëm ¼ e popullsisë së qytetit, që janë vetëm një hap larg vdekjes nga uria.
Ndërkaq, zyrtarët amerikanë thanë se ende nuk ka shenja të një armë-pushimi për ti paraprirë muajit të shenjtë të Ramazanit, në pritje të një përgjigje nga Hamas për lirimin e pengjeve, pavarësisht diskutimeve në Paris dhe Doha, ku u përfshinë drejtpërdrejtë Katari, Izraeli Egjipit dhe Shtetet e Bashkuara. (A2 Televizion)