Dhjetëra të arrestuar gjatë funeralit të Alexei Navalny në Moskë, por asgjë nuk i ndali moskovitët e mbështetësit e kauzës së të ndjerit 47-vjeçar, që të shprehnin respektin e tyre, pavarësisht prezencës së jashtëzakonshme të policisë dhe paralajmërimeve për arrestime.
“Putin është vrasës” dhe “Jo luftës” ishin pankartat që protestuesit mbanin në duar. Para funeralit, për të cilin nënës së Navalny-t iu kërkua që të mbahej privatisht dhe pa prani as të familjarëve e miqve, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kushdo që merrte pjesë në mënyrë të paautorizuar në funeral, duhej të kuptonte se do të arrestohej sepse ishte në shkelje të ligjit dhe rregullave të vendosur nga Kremlini.
Thuajse 20 minuta nga nisja e funeralit zyrtar për Navalny-n e teksa CNN transmetonte zhvillimet nga Moska, sinjali u ndërpre dhe telefonat u bllokuan, për t’u rikthyer vetëm në përfundim të shërbimit.
Nëna e Navalny-t u kthye përsëri këtë të shtunë pranë varrit të të birit. 45 vetë u arrestuan të premten gjatë funeralit, ndërsa të tjerët më vonë, teksa largoheshin. (A2 Televizion)