Më shumë se 100 palestinezë raportohet të jenë vrarë teksa prisnin mbërritjen e ndihmave në veri të gazës. Autoritetet palestineze akuzuan forcat izraelite për atë që e cilësuan një masakër, duke pretenduar se kishin hapur zjarr ndaj turmës.
Po ashtu një gazetar në qytetin e Gazës i tha BBC se tanket e izraelit kishin qëlluar në drejtim të turmës qe kishte shkuar atje për të siguruar ushqime. Sakaq, një burim i ushtrisë së Tel Avivit, citohet të thotë se trupat kishin qëlluar pasi besonin se ushtarët ishin të rrezikuar.
Në një deklaratë forcat e mbrojtjes në Izrael, thanë se dhjetëra vetë ishin vrarë, sipas tyre të shkelur dhe goditur nga kamionët, por duke theksuar se nuk ishin në dijeni të bombardimeve në zonë.
Siç bëjnë me dije, ngjarja është duke u shqyrtuar. Imazhe të rënda, të postuara në rrjetet sociale, treguan trupat e viktimave teksa ngarkoheshin në kamionët e boshatisur të ndihmave.
Ngjarja ndodhi pak orë pasi Ministria e Mbrojtjes në Gaza, njoftoi se mbi 30 mijë vetë, mes të cilëve 21 mijë fëmijë dhe gra, ishin konfirmuar si të vrarë që prej shpërthimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.
7 mijë të tjerë raportohen të zhdukur, ndërsa mbi 70 mijë kanë mbetur të plagosur gjatë 4 muajve të fundit. Sakaq, OKB paralajmëron se kriza e urisë rrezikon veriun e territorit, ku rreth 300 mijë njerëz jetojnë në kushte të mjerueshme, me fare pak ushqim apo ujë të pijshëm. (A2 Televizion)