Vetëm 24 orë pas fjalimit me tone të ashpra të Vladimir Putin në Moskë, nga ku kërcënoi hapur se do të godiste Perëndimin, Rusia ka testuar një raketë bërthamore.
Komandantët e Kremlinit njoftuan për testimin e një rakete balistike Yars. Videoja e publikuar nga media shtetërore ruse tregoi se arma prej 50,000 kg, u shkrep nga një transportues i lëvizshëm.
"Në Kozmodromin Shtetëror të Testit Plesetsk, ekuipazhet e Forcave Raketore Yoshkar-Ola kryen një nisje stërvitore luftarake të një rakete balistike ndërkontinentale me bazë të lëvizshme shtytëse të ngurtë PGRK Yars, të pajisur me një kokë lufte të shumëfishtë. Kokat e stërvitjes arritën në zonën e caktuar në terrenin e stërvitjes Kura në Gadishullin Kamchatka. Qëllimi i lëshimit ishte konfirmimi i karakteristikave taktike, teknike dhe fluturuese të sistemit modern të raketave. Të gjitha detyrat e caktuara janë kryer plotësisht”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë ruse.
Raketat Yars, të njohura për forcat e NATO-s si SS-29, mund të godasin me shpejtësinë 25 Mach, ose gati 20,000 mph.
Ato po ashtu mund të mbajnë koka bërthamore deri në një fuqi prej 500 kiloton. Kjo është gati 30 herë më shumë se forca e bombës së hedhur nga SHBA në Hiroshima për t'i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.
Ato gjithashtu mund të armatosen me koka luftarake të shumta për të arritur shkatërrimin maksimal në një zonë të gjerë.
Raketat mund të lëshohen nga kapanone, kamionë ose nga treni famëkeq bërthamor, i cili rrotullohet rreth Rusisë. Rusia vlerësohet të ketë më shumë se 150 raketa Yars në shërbim dhe ata posedojnë rreth 6000 koka bërthamore. (A2 Televizion)