“Çdo votë vlen për një Rusi të fortë”, Putin mesazh popullit 24 orë para hapjes së kutive

Nga A2 CNN
14 Mars 2024, 08:48 | Bota

24 orë para se të hapen kutitë e votimit në të gjithë Rusinë, Presidenti Vladimir Putin u ka bërë thirrje qytetarëve, përfshirë ata që jetojnë në zonat që Moska ka aneksuar nga Ukraina, që të bashkohen për të përcaktuar të ardhmen e vendit, duke votuar në zgjedhjet që mbahen nga nesër deri të dielën.

“Është jetike të nënvizojmë kohezionin dhe vendosmërinë tonë për të ecur përpara së bashku. Çdo votë që ju jepni ka vlerë dhe kuptim”, tha Putin në një fjalim të transmetuar fillimisht në Lindjen e Largët ruse.

Për këtë arsye, ju kërkoj që në ditët në vijim të ushtroni të drejtën e votës”, shtoi ai.

Në fjalën e tij, Putin vuri në dukje se “të gjithë votuesit duan të shohin një Rusi të fortë, të lirë dhe të begatë ku rritet standardi dhe cilësia e jetës. Dhe kështu do të jetë”, nënvizoi ai.

Për më tepër, presidenti rus e përshkroi ushtrimin e të drejtës së votës nga rusët si një "demonstrim të ndjenjës patriotike" dhe shtoi se kjo është veçanërisht e dukshme në zonat e Ukrainës lindore dhe jugore të kontrolluara nga forcat ruse.

Presidenti rus tha se zgjedhja patriotike është e qartë për banorët e rajoneve të Donbasit në Ukrainën lindore dhe Novorossiya, një term carist për Ukrainën jugore, të cilët votuan për aneksimin e rajoneve të tyre nga Rusia në referendumet e mbajtura në 2022.

"Ata votuan në një referendum në kushtet më të vështira në favor të bashkimit me Rusinë dhe përsëri, në ditët në vijim, ata do të bëjnë zgjedhjen e tyre. Do të votojnë edhe ata që marrin pjesë në operacionin special ushtarak. Ata janë shembull për të gjithë rusët", komentoi Putin.

Tashmë 71-vjeçar, Putin ka qenë në pushtet në Rusi si president ose kryeministër që nga viti 2000. Në këto zgjedhje ai përballet me tre kundërshtarë, asnjëri prej të cilëve nuk e ka kritikuar atë.

Dy kandidatë të cilët ishin në favor të përfundimit të luftës në Ukrainë, u përjashtuan nga procesi.

Sondazhet tregojnë se ai ka mbështetjen e shumicës së rusëve dhe përllogaritet të marrë deri në 75% të votave.

A2 CNN Livestream

Dita jonë