Dronët ukrainas mbi Rusi, goditen rafineritë e naftës dhe radarët, Kievi: Po ushqejnë luftën

Nga A2 CNN
21 Qershor 2024, 16:22 | Bota

Dronë me rreze të gjatë veprimi të Ukrainës, goditën 4 rafineri ruse të naftës e po ashtu stacione radarësh dhe objektivë të tjerë ushtarakë në rusi, në një valë masive sulmi në orët e para të së premtes.

Lajmin e bëri të ditur ushtria e Kievit. Ukraina ka përshkallëzuar në mënyrë dramatike përdorimin e dronëve gjatë këtij viti, duke shënjestruar infrastrukturë të naftës.

Për Kievin, këto struktura janë objektivë të ligjshëm ushtarake, pasi po ushqejnë pushtimin gati 28 mujor.

”Mjete ajrore pa pilot sulmuan rafineritë e naftës së Afipsky, Ilsky, Krasnodar, dhe Astrakhan", bëri me dije ushtria ukrainase në një deklaratë në Telegram.

Ushtria ruse tha më herët se kishte rrëzuar 70 dronë mbi detin e zi, dhe gadishullin e pushtuar të Krimesë, 43 dronë mbi rajonin rus të Krasnodar dhe një tjetër mbi atë të Volgograd.

Një burim i inteligjencës së Kievit, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se rafineritë e naftës së Afipsky, Ilsky dhe Krasnodar prodhojnë karburant për flotën ruse në detin e zi, dhe se operacioni për shënjestrimin e tyre ishte zhvilluar në koordinim me shërbimet e sigurisë, SBU.

Sipas burimit, dëmet do të ndërlikojnë në mënyrë të konsiderueshme logjistikën e furnizimeve me karburant, duke e bërë me të kushtueshme dhe të zgjatur në kohë, pasi do të duhet të dërgohet nga rafineri të tjera.

Sulmet e së premtes me dronë, erdhën pasi Moska bombardoi sërish infrastrukturën energjetike duke shkaktuar ndërprerje të energjisë e duke nxitur frikën mbi mbajtjen e sistemit gjatë stinës së dimrit.  

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024