“E vetmja mënyrë për të shkatërruar Hamasin”, Izraeli bombardon Rafahun

Nga Erjon Dervishi
24 Maj 2024, 11:01 | Bota

Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër veçse të shkatërrojë Hamasin”. Kështu është shprehur zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari. Në një deklaratë për mediat, Hagari thekson se, për Izraelin sulmi total ndaj Rafahut është e vetmja mënyrë për të eliminuar organizatën militante të Hamasit, të cilët sipas izraelitëve besohet se janë strehuar nëpër tunelet e Gazës Jugore. 

"Hamasi është në Rafah, Hamasi ka mbajtur pengjet tona në Rafah, kjo është arsyeja pse forcat tona po manovrojnë në Rafah. Ne po e bëjmë këtë në një mënyrë të saktë. Ne po mbrojmë civilët e Gazës në Rafah nga të qenit një shtresë mbrojtjeje për Hamasin, duke i inkurajuar ata që të evakuohen përkohësisht në zonat humanitare. Deri më tani, kemi eliminuar dhjetëra terroristë të Hamasit, kemi ekspozuar dhjetëra tunele terroriste dhe kemi shkatërruar infrastrukturën e tyre”.

Qyteti i Rafah është kthyer në një vend luftimi, ku vetëm në 24 orët e fundit janë vrarë 60 palestinezë. OKB-ja flet për civilë të vrarë. Bombardimet izraelite janë ajrore dhe tokësore dhe aksionet janë të përhapura në të gjithë Rripin e Gazës.

Banorët shprehen të tronditur se tanket izraelite kanë përparuar në juglindje të Rafahut, janë afruar drejt distriktit perëndimor të qytetit dhe vazhdojnë të operojnë në tri periferi lindore të qytetit të Rafahut.

Përpjekje për ndalim të sulmeve në Rafah po bën edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së. Me kërkesë të Afrikës së Jugut, gjyqtarët në Gjykatën e Lartë do të vendosin për të urdhëruar Izraelin të ndalojë ofensivën e tij në Rafah dhe të tërhiqet nga Gaza, kërkesë e cila ka pak gjasa që të realizohet.

Sakaq Shtetet e Bashkuara kanë dërguar me një mision në Europë, drejtorin e CIA-s, William Burns, për të bërë të mundur rifillimin e bisedimeve për një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh midis Izraelit dhe Hamasit, që do të ndalonte luftën  në Gaza, citon CNN. Burns ka vepruar si një bashkëbisedues kyç për SHBA-në në bisedimet midis Izraelit, Hamasit, Egjiptit dhe Katarit, por ato bisedime kanë rezultuar të dështuara. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani