Është zbardhur videomesazhi i Presidentit të Turqisë, Erdogan, gjatë samitit Ukrainë-Evropë Juglindore të mbajtur këtë të mërkurë në Tiranë. Mediat turke, të cilat kanë zbardhur videomesazhin shkruajnë se Erdogan është shprehur i gatëm për t’i ulur palët, Ukrainën dhe Rusinë, në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës.
“Ju të gjithë e dini mbështetjen e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne bëjmë çdo përpjekje për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e bashkatdhetarëve tanë tatarë të Krimesë. Ne jemi gjithashtu të gatshëm të kontribuojmë në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e shpejtë të Ukrainës. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve tona, nuk është bërë përparim i mjaftueshëm drejt vendosjes së paqes. Unë mbaj qëndrimin tim se diplomacisë dhe dialogut duhet t'i jepet një shans për t'i dhënë fund luftës. Është e një rëndësie të madhe përdorimi i të gjitha kanaleve diplomatike në nivelin më të lartë për të arritur këtë qëllim. Unë besoj se duhet filluar një përpjekje e përbashkët për të përcaktuar të paktën parametrat e përgjithshëm të paqes. Në këtë drejtim, ne mbështesim në parim planin e paqes prej 10 pikash të Presidentit Volodymyr Zelensky.
Ne vazhdojmë kontaktet tona për marrëveshjen. Nga ana tjetër, ne jemi të gatshëm të rivendosim tryezën e negociatave që kemi ngritur më parë në Stamboll për ndërtimin e paqes”, tha Erdogan. (A2 Televizion)