Plani për dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda është i paligjshëm. Kështu ka vendosur Gjykata e Lartë në Britaninë e Madhe duke i dhënë një goditje të fortë kryeministrit Rishi Sunak, para zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm.
Mbi bazë të skemës kontroverse, Britania do të dërgonte mijëra azilkërkues që mbërrijnë ilegalisht në brigjet e saj, drejt vendit afrikano-lindor, në përpjekjen për të frenuar emigrantët që kalojnë kanalin e La Manshit nga Europa, me gomone. Por Gjykata e Lartë vendosi unanimisht të mërkurën se emigrantët nuk mund të dërgohen në Ruanda, pasi ai nuk mund të konsiderohet një vend i tretë i sigurt.
“Siç e kam shpjeguar, testi ligjor që duhet aplikuar në këtë rast është nëse ka arsye thelbësore për të besuar se azilkërkuesit e dërguar në Ruandë do të ishin në rrezik real rikthimi në vendet nga janë larguar. Dhe në dritën e provave që kam përmbledhur, Gjykata e Apelit arriti në përfundimin se kishte arsye të tilla”, deklaroi kreu i Gjykatës së Lartë, Robert Reed.
Kryeministri Rishi Sunak, i cili e kishte skemën e Ruandës pjesë qendrore të politikës së emigracionit duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet pas vendimit të gjykatës. Ai tha se qeveria po punon për një traktat të ri me Ruandën dhe se është i përgatitur të ndryshojë ligjet nëse do të jetë e nevojshme.
“Ka elemente të tjera për të cilat ata duan siguri shtesë dhe ndryshime. Vura re se ndryshimet mund të bëhen në të ardhmen për të adresuar këto çështje. Qeveria ka punuar tashmë për një traktat të ri me Ruandën dhe ne do ta finalizojmë atë në dritën e gjykimit të sotëm. Dhe për më tepër, nëse është e nevojshme, jam i përgatitur të rishikoj kuadrin tonë ligjor të brendshëm”, deklaroi kryeministri Sunak.
Vendimi i cili ka nxitur reagime të ashpra nga disa ligjvënës të kahut të djathtë merr rëndësi edhe më të madhe politike në kontekstin e shkarkimit të ministres së brendshme Suella Braverman, një prej zërave më të ashpër kundër emigrantëve të paligjshëm. Në një reagim gjatë së martës, ajo tha se Sunak kishte dështuar në luftën kundër emigracionit dhe kishte tradhtuar popullin britanik. (A2 Televizion)