Ushtria Izraelite hyri në spitalin e Al SHifës, ku prej javësh janë të bllokuar mijëra pacientë dhe palestinezë të shpërngulur, duke vrarë disa militant të Hamasit. Tel Avivi njoftoi se po zhvillon një operacion preciz dhe te shënjestruar kundër Hamasit në një zonë të caktuar brenda spitalit më të madh në territor, poshtë së cilit sipas autoriteteve, gjendet një qendër komandoje e Hamasit.
Ushtria tha gjatë bastisjes 5 militantë ishin vrarë dhe armatime ishin gjetur brenda kompleksit spitalor. Pamje të xhiruara brenda spitalit tregojnë tym në disa prej ambienteve, teksa dëshmitarët rrëfejnë se tanke dhe ushtarë kishin hyrë në urgjencën e qendrës shëndetësore.
Punonjësit e shëndetësisë përshkruajnë kushte të mjerueshme brenda spitalit, i cili përveçse në qendër të luftimeve të ashpra vuan gjithashtu mungesën e elektricitetit dhe karburantit. Kjo po e bën gati të pamundur kujdesin për pacientët më vulnerabël, përfshirë 36 bebe të lindura para kohe, të cilat janë hequr nga inkubatorët për shkak të ndërprerjes së energjisë.
Një mjek në Al-Shifa tha se tre foshnje kishin humbur jetën. Sakaq, Izraeli bëri të ditur se kishte siguruar inkubatorë dhe pajisje mjekësore për spitalin. Hamas mohon të ketë baza nën godinë dhe denoncon se sulmi në spital, përbën një krim lufte. Shtëpia e Bardhë kërkon mbrojtjen e civilëve dhe pacientëve dhe thekson se nuk dëshiron të shohë luftime në spital. Sekretari i përgjithshëm i OKB, sakaq, përsëriti thirrjen për armëpushim të menjëhershëm humanitar, siç tha, në emër të njerëzimit. (A2 Televizion)