Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Izraelin që të ndalojë ofensivën në Rafah

Nga A2 CNN
24 Maj 2024, 15:27 | Bota

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Izraelin

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka urdhërruar sot Izraelin që të ndalojë ofensivën në Rafah. 

Në vendimin e marrë pasditen e premtes, Gjykata shprehet se nuk është e bindur që evakuimi në Rafah dhe masat e tjera të marra nga Izraeli, janë të mjaftueshme për të lehtësuar vuajtjet e palestinezëve. 

Teksa lexonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, presidenti i trupës, Nawaf Salam tha se masat e përkohshme të urdhëruara nga gjykata në mars nuk kanë mundur të adresojnë plotësisht situatën në enklavën e rrethuar palestineze dhe sa tashmë gjykohet se janë plotësuar kushtet për të urdhëruar një gjendje të re emergjence.

“Izraeli duhet ta ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake në Rafah,” shtoi ai.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Izraelin

Çfarë dimë për kërkesën e Afrikës së Jugut për ndalimin e ofensivës së Izraelit në Rafah?

Afrika e Jugut paraqiti një kërkesë urgjente më 10 maj për masa shtesë në çështjen e gjenocidit të ngritur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Izraelit.

Afrika e Jugut akuzon Izraelin për përdorimin e  urdhrave të evakuimit të detyruar në qytetin jugor të Gazës, Rafah, për të "rrezikuar jetën e civilëve".

Avokati për Afrikën e Jugut, profesor Max du Plessis, dënoi evakuimin e detyruar të qindra mijëra palestinezëve nga Rafah dhe përcaktimin nga ana e izraelit të "zonave humanitare".

Masat "rrezikojnë, në vend se mbrojnë jetën e civilëve", tha Du Plessis në një seancë dëgjimore të GJND-së në Hagë më 16 maj.

“Të ashtuquajturat ‘zona humanitare’ nuk janë të sigurta, zonat kontrollohen nga të njëjtat forca izraelite që sulmuan palestinezët”.

"Izraeli e ka sfiduar këtë gjykatë duke kapur, rrethuar dhe bombarduar Rafahun e mbipopulluar, duke përkeqësuar sigurinë e 1.5 milionë palestinezëve të cënueshëm,” shtoi ai.

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se jashtë gjykatës, një grup i vogël demonstruesish pro-palestinezë valëvitën flamuj dhe teksa këndonin e bënin thirrje për Palestinën e lirë.

Nga ana tjetër, Izraeli ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat për gjenocid duke i cilësuar si të pabaza dhe duke argumentuar në gjykatë se operacionet e tij në Gaza janë vetëmbrojtje dhe kanë si objektiv militantët e Hamasit që sulmuan Izraelin më 7 tetor.

Një zëdhënës i qeverisë izraelite tha në prag të vendimit të së premtes se "asnjë fuqi në Tokë nuk do ta ndalojë Izraelin të mbrojë qytetarët e tij dhe të shkojë pas Hamasit në Gaza". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos