Kim Jong Un drejton tankun e ri, Koreja e Veriut simulon luftë teksa SHBA-ja stërvitet me Seulin

Nga Rosalba Bejdo
14 Mars 2024, 10:14 | Bota

Teksa SHBA-ja dhe Koreja e Jugut angazhohen në stërvitje të përbashkëta ushtarake, Koreja e Veriut e shfaq forcën me udhëheqësin Kim Jong Un duke drejtuar një tank beteje. Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, e cila shfaqi imazhe të demonstrimit ushtarak, bëri të ditur se diktatori ishte shprehur i kënaqur me faktin se modeli i ri i tankut të betejës kishte treguar fuqi shpërthyese në performancën e tij të parë, ditën e mërkurë.

Ajo që u cilësua si "betejë trajnuese’’ synonte inspektimin e kapaciteteve luftarake të ekuipazhit të tankeve, dhe për t'i familjarizuar ata me aksionet e luftës në misione të ndryshme taktike. Divizioni i 105 i tankeve, që u shpall fitues i betejës së inskenuar, sipas KCNA, ishte njësia që kishte pushtuar kryeqytetin koreano-jugor, Seulin, gjatë luftës së Koreve.

Kim Jong UN u shoqërua nga zyrtarë të lartë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Kang Sun Nam. Beteja e simuluar vjen teksa Koreja e Jugut dhe SHBA-ja nisën të enjten stërvitjet e përbashkëta ushtarake, të njohura si Mburoja e Lirisë.

Ky është operacioni i parë i këtij lloji që kur Peniani u tërhoq nga pakti ushtarak ndërkorean i vitit 2018 që synonte zbutjen e tensioneve mes dy vendeve. Si pjesë e operacionit, Koreja e Veriut zhvilloi stërvitje në një bazë trajnimi në Pocheon, ku u përfshinë, tanke dhe avionë lufte, FA-50.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos