Një masakër e vërtetë ka ndodhur, gjatë orëve të fundit, në Rafah. Mediat arabe flasin për 40 civilë të vdekur.
Sulmet erdhën dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë urdhëroi Izraelin të ndalë ofensivën e tij ushtarake në Rafah, ku më shumë se gjysma e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës ka kërkuar strehim përpara inkursionit të Izraelit, në fillim të këtij muaji.
Sulmi ajror u raportua disa orë pasi Hamasi lëshoi një breshëri raketash nga Gaza që ndezën sirenat e sulmit ajror deri në Tel Aviv, për herë të parë pas disa muajsh.
Pamjet nga skena e sulmit më të madh ajror tregojnë persona që tentojnë të shpëtojnë nga sulmet. Ushtria izraelite konfirmoi sulmin dhe tha se goditi një vendstrehim të Hamasit dhe vrau dy militantë të lartë të organizatës ekstremiste.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se të vrarët dhe të plagosurit në sulm ishin kryesisht gra dhe fëmijë.
Presidenca e Autoritetit Palestinez i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë menjëherë. Hamasi e përshkroi sulmin si një "masakër" dhe tha se bën përgjegjës administratën amerikane dhe personalisht Presidentin Joe Biden.
Mjekët pa Kufij shprehën tmerrin pas sulmit ajror, duke thënë se ai "tregon edhe një herë se Rripi i Gazës askund nuk është më i sigurt".
“Sulmet ajrore dogjën çadrat, tendat po shkrihen dhe trupat e njerëzve po shkrihen gjithashtu”, tha një nga banorët në spitalin e Kuvajtit në Rafah.
Kryeministri Benjamin Netanyahu mblodhi kabinetin e tij të luftës për të diskutuar operacionet e vazhdueshme në Rafah. Izraeli argumenton se vendimi i gjykatës së OKB-së lejon hapësirë për disa veprime ushtarake atje.
Afro 36 mijë palestinezë janë vrarë në ofensivën e Izraelit, thotë ministria e Shëndetësisë e Gazës. Izraeli filloi operacionin pasi militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan komunitetet jugore izraelite më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke kapur më shumë se 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.
(A2 Televizion)