Sondazh: Çfarë ju pengon për t'u ushqyer shëndetshëm?
  • Çmimet e larta 93%
  • Mungesa e kohës 0%
  • Mungesë motivimi 7%
  • Lodhja fizike 0%

NATO, 100 miliardë dollarë për Ukrainën, Zelensky: Të marrim asetet ruse, na detyrohen

Nga Erjon Dervishi
2 Prill 2024, 23:52 | Bota

NATO po përgatit krijimin e një fondi prej 100 miliardë dollarësh për Ukrainën. Lajmi është konfirmuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, citojnë mediat italiane.

Projekti për fondin, i cili duhet të miratohet nga 32 aleatët, do të ishte një nga “shenjat e prekshme” të mbështetjes për Kievin dhe mund të luante pjesën kryesore në samitin e ardhshëm të Uashingtonit. Propozimi i NATO-s shoqërohet me mbështetjen e Gjermanisë e cila ka vendosur të furnizojë Ukrainën me 180 mijë predha si plan të udhëhequr nga Çekia për të blerë municion për Ukrainën.

Nevoja më urgjente për Ukrainën është municioni i artilerisë, i cili po mbaron dhe për këtë arsye i tërë Perëndimi po angazhohet për furnizimin e Kievit me municione dhe ndihma monetare. Sakaq, Ukraina po zhvillon një veprimtari të dendur diplomatike për të dënuar agresionin. Nga Haga, ministri i Jashtëm i Ukrainës bëri thirrje për fuqizimin e drejtësisë ndërkombëtare: “Ata nuk duan të dëgjojnë se drejtësia do të vendoset. Si ministër i Jashtëm, jam plotësisht i vetëdijshëm se drejtësia ndërkombëtare kërkon gjithmonë kohë, por si ukrainas nuk mund të mos ju bëj thirrje që të bëni çdo përpjekje të mundshme për t'i shërbyer asaj drejtësie”.

Zelensky iu drejtua konferencës përmes lidhjes video duke bërë thirrje që asetet ruse të përdoren për të paguar për dëmet e luftës dhe dëmshpërblimet për viktimat: “Drejtësia është pikërisht linja nga e cila mund të fillojë lëvizja drejt paqes së sigurt. Armët japin mbrojtje fizike, por është drejtësia që i kthen jetës ndjenjën e sigurisë. Çdo agresor potencial duhet të dijë se çfarë e pret nëse prish paqen”.

Zelensky tha se ukrainasit mund të fillojnë të paraqesin pretendime për dëmet që kanë pësuar në pushtimin e Rusisë. Por, Moska thotë se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndaluar Perëndimin të “plaçkisë” asetet shtetërore.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli