''Rivaliteti nuk duhet të çojë në konfikt”, Biden “shkrin akujt” me Jinping, por sërish e quan diktator

Nga Rosalba Bejdo
16 Nëntor 2023, 09:55 | Bota

“Konkurrenca nuk duhet të çojë në konfikt”. Me këtë mesazh, u mbyll takimi mes udhëheqësve të dy superfuqive botërore, Joe Biden dhe Xi Jin Ping, në të parën përballje në më shumë se një vit, si pjesë e samitit të APEC në San Francisko. Në një sinjal se SHBA-ja dhe Kina duan zbutje të tensioneve, bisedimet ishin të gjata, prej rreth 4 orësh, dhe më intriguese i bëri fakti se u zhvilluan në vilën ku është xhiruar Soap Opera e famshme “Dinastia”, që tregon rivalitetin mes dy familjeve miliardere.

Takimi prodhoi dakordësinë për t’iu rikthyer komunikimeve ushtarake, të ndërprera pas vizitës së Nancy Pelosit në Tajvan. Dy udhëheqësit folën gjithashtu për marrëveshje modeste për të luftuar prodhimin e fentanilit që vjen kryesisht nga Kina dhe ka ndikuar në rritje të vdekjeve nga mbidoza në SHBA.

“Do të rikthejmë kontaktet ushtarake, kontaktet direkte. Ndërprerja e tyre çon në aksidente dhe keqkuptime. Unë mendoj se është e rëndësishme që ju dhe unë ta kuptojmë njëri-tjetrin qartë, drejtpërdrejt, pa keqkuptime. Ne duhet të sigurohemi që konkurrenca të mos kthehet në konflikt”, tha Biden.

 “Planeti Tokë është mjaft i madh që të dyja vendet të kenë sukses. Kina dëshiron të jetë partner dhe mik i Shteteve të  Bashkuara”, u shpreh Xi Jinping.

Dy liderët diskutuan gjithashtu mbi konfliktin në Gaza, me Biden që i kërkoi Kinës të ndikojë tek Irani për të hequr dorë nga veprimet provokuese. Pati gjithashtu dakordësi lidhur me inteligjencën artificiale, ndërsa theksuan urgjencën që të dyja vendet të trajtojnë ndryshimet e klimës. Mirëpo, pavarësisht toneve më të zbutura që  sinjalizuan progres në marrëdhëniet e krisura mes SHBA-së dhe Kinës, Biden nuk hoqi dorë nga etiketimi i homologut si një diktator, pasi u pyet nga gazetarët nëse kishte ndryshuar qëndrim. Komenti me gjasë do të kumbojë keq në Pekin, pas takimit të përgatitur prej muajsh. 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni