Lufta në rrugë pa kthim, OKB-ja prezanton planin për armëpushim humanitar, Izraeli e refuzon

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2023, 08:01 | Bota



Duket se po hyn në një rrugë pa kthim lufta mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Gaza.

Në orët e fundit, Këshilli i Sigurimit në OKB miratoi një projekt-rezolutë me anë të së cilës kërkohet vendosja e menjëhershme e armëpushimit për qëllime humanitare, me orare më të gjata dhe korridore në të gjithë Gazën, për një numër të caktuar ditësh, për të lejuar civilët që të kishin akses në ndihma.

Drafti mori 12 vota pro, kundër nuk kishte, teksa abstenuan Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Rusia.

Por projekti hasi në reagimin e menjëhershëm të Izraelit, i cili vendosi ta refuzojë atë.

Ministri i Jashtëm izraelit në një reagim për mediat kryesore në vend u shpreh se për momentin nuk ka vend për bërjen e këtyre lëshimeve ndaj Hamasit për sa kohë që qindra njerëz vijojnë të jenë peng në duart e tyre.

Sipas ambasadorit të Izraelit në OKB, Gilad Erdan, rezoluta është e shkëputur nga realiteti dhe “është për të ardhur keq që Këshilli vazhdon të injorojë dhe refuzon të dënojë apo edhe të përmendë masakrën e kryer nga Hamasi".

Nga ana tjetër, autoritetet e drejtuara nga Hamasi, konfirmojnë se që nga nisja e luftimeve në tetor, janë vrarë më shumë se 11 500 persona, pjesa më e madhe e të cilëve gra dhe fëmijë.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni