Stoltenberg kundër Papës: Ukraina ka nevojë për armë, jo për flamuj të bardhë

Nga Erjon Dervishi
11 Mars 2024, 22:54 | Bota

Stoltenberg kundër Papës: Ukraina ka nevojë për armë,

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka kundërshtuar thirrjen e Papa Françeskut, se Ukraina duhet të negociojë fundin e luftës dhe ngrejë flamurin e bardhë. I pyetur në lidhje me komentet e Papës, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut i tha Reuters: "Nuk është koha për të folur për dorëzimin nga ukrainasit. Kjo do të jetë një tragjedi për ukrainasit. Do të jetë gjithashtu e rrezikshme për të gjithë ne, sepse atëherë mësimi i mësuar në Moskë është se kur ata përdorin forcën ushtarake, kur ata vrasin mijëra njerëz, kur pushtojnë një vend tjetër, at marrin atë që duan. Kjo do ta bëjë më joshëse për të bërë të njëjtën gjë përsëri dhe do të shikohet nga afër në Pekin. Pra, rreziku që liderët e tjerë autoritarë të përdorin forcën ushtarake do të rritet nëse Putini merr atë që dëshiron në Ukrainë", tha Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Në një intervistë në selinë e NATO-s në Bruksel, Stoltenberg tha se "ajo që ndodh rreth tryezës së bisedimeve është e lidhur pazgjidhshmërisht me forcën në fushën e betejës". Deklarata e shefit të NATO-s, ishte në unison me atë të liderit të Ukrainës, Volodymir Zelenski, i cili pa e përmendur Papën, deklaroi se Kisha duhet të jetë me popullin.

“Të gjithë, të Krishterë, Myslimanë apo Hebrenj na kanë mbështetur në lutje, dhe në nevoja. Kjo është ajo që duhet të bëjë Kisha e cila është me popullin. Dhe jo nga 2500 km largësi të ndërmjetësojë virtualisht mes dikujt që kërkon të jetojë dhe dikujt që kërkon të të shkatërrojë”, tha Zelensky.

Sakaq, shërbimet sekrete të sigurisë në Rusi, janë të vetëdijshme se prej kohësh këshilltarët e NATO-s gjenden në Ukrainë. Këtë e tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, në një intervistë për gazetën Izvestia, pasi ministri i Jashtëm polak Radoslav Sikorski pranoi se ushtarët e Aleancës janë të pranishëm në Ukrainë.

Sipas Zakharovas, SHBA, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore po zhvillojnë një "luftë hibride" kundër Rusisë me pjesëmarrjen e "instruktorëve të forcave speciale, ekspertëve, specialistëve nga departamentet përkatëse ushtarake të vendeve të NATO-s".  

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu