Takimi i vitit në vilën e telenovelave, Xi Jinping shkel Amerikën për të çuar para ëndrrën kineze

Nga Xhevahir Qardaku
15 Nëntor 2023, 15:31 | Bota


Xi Jinping shkeli tokën Amerikane për të shtyrë përpara ëndrrën e tij kineze. Presidenti i Kinës zbriti avionin shtetëror në Kaliforni, ku iu rezervua një pritje me nderime të larta, përpara samitit të Indo-Paqësorit. Duhen pak orë dhe dhjetëra kilometra nga San Francisko përpara se në vilën e një fshati, ku u filmua telenovela e famshme Dinastia në vitet ‘80, të mbahet takimi i vitit.

Dy liderët e superfuqive globale do të ulen për herë të parë ballë për ballë, që kur Xi Jinping dhe Joe Biden u takuan në samitin e G20-ës më Bali gjatë vitit të kaluar.

Synimi i udhëheqësve amerikanë dhe kinezë është që të vulosin normalizimin e marrëdhënieve, por duke mos lënë në hije çështje të tjera si ajo e konflikteve, por edhe atë të një rendi të ri botëror. Biden shkurtimisht tha se pret nga takimi me Xi Jinping që palët të rivendosin një komunikim normal, pas përkeqësimit të raporteve në një pikë tepër të ulët.

Muajin e kaluar, lideri kinez u takua me atë rus, Vladimir Putin, duke u pajtuar se “kërcënimet e përbashkëta kanë bërë bashkë të dyja shtetet”. Kjo deklaratë është konsideruar nga SHBA si njehsim i linjës për luftën në Ukrainë.

“Marrëdhëniet dhe komunikimet mes dy ushtrive tona është thelbësor. Kina i ka përkeqësuar linjat e komunikimit. Biden dëshiron që t’i rikthejë sërish ato”, tha Jake Sullivan, këshilltar i Biden për sigurinë kombëtare.
Kjo lidhet kryesisht me balonat spiune të Kinës që fluturuan këtë vit mbi qiellin amerikan. Më pas u lëshua alarmi se Pekini po përdor rrjetin social Tik Tok për të spiunuar amerikanët dhe marrë informacionet personale. 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi