Ukraina ngre alarmin: Rusët të paaftë, rrezikohet incident bërthamor në Zaporizhia! Kievi avancon në Dnipro

Nga Xhevahir Qardaku
17 Nëntor 2023, 12:33 | Bota

Ukraina ngre alarmin për një incident të mundshëm bërthamor në Zaporizhia.

Zyrtarë të Kievit akuzojnë pushtuesit rusë për paaftësi për të menaxhuar impiantin e pushtuar në juglindje të vendit. “Energoatom”, shoqëria që menaxhon centralet energjetike të Ukrainës, thotë se pushtuesit rusë nuk po respektojnë kushtet teknike për funksionimin e aparaturave, duke shtuar rrezikun për një fatkeqësi të mundshme me ndotje radioaktive.

Lufta dhe bombardimet nuk kanë ndaluar në atë rajon, gjë e cila shton edhe më shumë frikën për incidente. Ushtria ukrainase pretendon se ka bërë përparim në kundërofensivën e saj, duke kryer me sukses një seri sulmesh në spondën lindore të lumit Dnipro, të pushtuar nga rusët, në afërsi të Kherson.

Kievi njofton se ka rrëzuar 9 nga 10 dronët kamikazë të lëshuar për të sulmuar territorin. Në shënjestër kanë qenë 4 rajone të ndryshme, në të cilët janë dëgjuar sirenat e alarmit. Ndërkohë, Rusia ka nisur të përdorë për herë të parë avionin e mbikëqyrjes dhe të paralajmërimit “Beriev A-50”. Ky mjet fluturues do të ketë detyrën që të identifikojë shënjestra në Ukrainë dhe të dërgojë të dhëna për sistemin raketor të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë.

Kjo shihet më shumë si një parapërgatitje e Moskës në rast se Ukraina do të vendosë në qarkullim avionë luftues të premtuar nga perëndimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos