“Izraeli duhet të ndalojë menjëherë operacionin në Rafah”. Ky është vendimi që ka marrë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, kundër inkursionit të Tel-Avivit në Gazën Jugore.
Duke lexuar vendimin, presidenti i Gjykatës Botërore, Nawaf Salam tha se situata në enklavën palestineze ishte përkeqësuar që kur gjykata urdhëroi për herë të fundit Izraelin të merrte hapa për ta përmirësuar gjendjen dhe tani ishin plotësuar kushtet për një urdhër të ri emergjence.
"Shteti i Izraelit duhet të ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake dhe çdo veprim tjetër në provincën Rafah, i cili mund t'i shkaktojë palestinezëve në Gaza kushte jete që mund të sjellin shkatërrimin e tyre fizik”, thekson deklarata e gjykatës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nuk ka mjete për të zbatuar urdhrat e saj, por çështja ishte një shenjë e qartë e izolimit global të Izraelit lidhur me fushatën e tij në Gaza, veçanërisht që kur filloi ofensivën e tij kundër Rafahut.
Izraeli reagoi për vendimin e gjykatës ndërkombëtare duke i quajtur të rreme dhe të neveritshme. Ministria e Jashtme e Izraelit pretendoi se veprimet e Izraelit në Gaza janë pjesë e një "lufte vetëm mbrojtëse për të eliminuar Hamasin dhe për të çliruar pengjet. Izraeli thotë se Rafah ka shërbyer si pika e fundit për mijëra luftëtarë të Hamasit dhe komandantët e tyre të lartë dhe se nuk mund të arrijë qëllimin e tij të luftës për të zhdukur grupin militant islamik dhe për të shpëtuar pengjet e tij pa sulmuar qytetin.
Sakaq, presidenca e Autoritetit Palestinez shprehu mbështetjen e saj të fortë për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtar dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të sigurojë respektimin e urdhrave të Izraelit dhe të ushtrojë presion mbi Izraelin për t'iu përmbajtur legjitimitetit dhe ligjit ndërkombëtar. (A2 Televizion)