Fitorja përballë Rusisë do të jetë një mision i vështirë. Kështu është shprehur, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy në një intervistë për New York Times. Zelenskyy foli me nota pesimiste për të ardhmen e pasluftës por kërkoi nga Perëndimi një shtim të furnizimeve më armë dhe municione.
“Pas luftës, pas fitores, këto janë gjëra të ndryshme. Mund të jetë ndryshe. Mendoj se planet e mia varen nga kjo. Pra, do të doja të besoja se do të ketë një fitore për Ukrainën. Kjo nuk është e lehtë, është shumë e vështirë. Është absolutisht e qartë se do të jetë shumë e vështirë. Dhe thjesht do të doja të kaloja pak kohë me familjen time dhe me qentë e mi”, citoi Zelenskyy.
Volodymyr Zelenskyy i kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe Evropës të bëjnë më shumë për të mbrojtur kombin e tij, duke hedhur poshtë frikën e një përshkallëzimi bërthamor. Ai propozon që avionët e NATO-s të rrëzojnë raketat ruse në hapësirën ajrore ukrainase.
Zelenskyy tha se ai u kishte bërë thirrje zyrtarëve amerikanë që të lejonin Ukrainën të gjuante raketa amerikane dhe armatime të tjera drejt objektivave ushtarake brenda Rusisë – një taktikë që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta kundërshtojnë. Paaftësia për ta bërë këtë, këmbënguli ai, i dha Rusisë një "përparësi të madhe" në luftën ndërkufitare që po e shfrytëzon me sulme në verilindje të Ukrainës.
Sakaq, forcat ruse u afruan më pranë pjesës qendrore të Vovchansk, një qytet në verilindje të Ukrainës, të cilin ata e kanë sulmuar për 10 ditët e fundit si pjesë e një ofensive të re në rajon. Nënkryetari i administratës ushtarake në rajonin verilindor të Kharkiv, tha se forcat ukrainase kishin humbur rreth 40 për qind të qytetit.
Vovchansk, ka qenë objektiv kryesor i ofensivës së re të Moskës. Presidenti Vladimir Putin ka thënë se ofensiva është pjesë e një përpjekjeje për të krijuar një zonë tampon në Kharkiv. (A2 Televizion)