Inteligjenca artificiale është një mjet i fuqishëm në luftimin e terrorizmit dhe krijimin e një bote më të sigurt, por nuk duhet të injorohet fakti që ky mjet përdoret edhe nga organizatat terroriste për qëllimet dashakeqe.
Kështu u tha në debatin e organizuar nga Qendra Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (AÇET) me temën “Roli i Inteligjencës Artificiale (IA) në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Sigurinë Kombëtare”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se Kosova viteve të fundit është përballur me numër të madh të rasteve terroriste: “Roli i inteligjencës artificiale në luftimin e terrorizmit bëhet jetik, ne tashmë kemi pranuar se inteligjenca artificiale është një mjet i fuqishëm në luftimin e terrorizmit në shumë dimensione. Fillimisht neve na ofron mundësinë të menaxhojmë të dhëna që janë jashtëzakonisht të mëdha dhe të punojmë në mënyrë më efikase dhe efektive. Nuk mund ta injorojmë faktin që organizatat terroriste janë duke e shfrytëzuar inteligjencën artificiale për qëllimet dashakeqe për të krijuar dezinformata dhe për të bërë identitete sintetike për të sulmuar me sulme kibernetike”.
Dwaine Lee, zëvendëspresident në Qendrën Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit, u shpreh se inteligjenca artificiale mund të ketë ndikim pozitiv në zbulimin e terrorizmit, edhe pse ekziston rreziku i përdorimit të këtij mjeti nga vetë terroristët: “Inteligjenca artificiale me të vërtetë mund të ketë ndikim pozitiv në zbulimin dhe parandalimin e terrorizmit, por gjithashtu është edhe e pritshme qe terroristët ta përdorin atë për radikalizimin dhe shënjestrimin e njerëzve të caktuar. Prandaj duhet të kemi një debat të frytshëm se si mund ta përdorim këtë mjet të ri për të ruajtur sigurinë në Kosovë dhe rajon”.
Drejtori i Departamentit për Siguri dhe Siguri Publike në OSBE, Edward Anderson këshilloi që inteligjenca artificiale të përdoret në mënyrë të ekuilibruar. (A2 Televizion)