Serbi dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2024, 11:06 | Kronikë

Serbi dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

Një gjykatë në Prishtinë dënoi me 15 vjet heqje lirie në mungesë një pjesëtar të komunitetit serb, Çedomir Arsiçi, për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatrat përreth komunës së Shtimes.

Ky është dënimi i parë për krime lufte në mungesë që shpallet nga një gjykatë në Kosovë.

Gjykata tha se Arsiç, në periudhën kohore nga muaji janar deri në maj të vitit 1999 në bashkëpunim me persona tjerë, të veshur me uniforma policore dhe ushtarake “ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosje të popullsisë civile”.

Gjyqtarja Viloleta Namani-Hajra, tha se Çedomir Arsiçi kishte marrë pjesë edhe në vrasjet në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.

Mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999 forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimes, ku vranë 45 civilë shqiptarë. Masakra e Reçakut, shënoi fillimin e një procesi diplomatik për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, e cila u përmbyll më ndërhyrjen e NATO-s. (A2 Televizion)

 

A2 CNN Livestream

Latest Videos