Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ka dalë në një konferencë për shtyp rreth orës 23:30 dhe ka bërë publike rezultatet në shifra të zgjedhjeve të së dielës, sipas komisionerëve dhe vëzhguesve të partisë që ai drejton.
Ai ka pranuar humbjen në zgjedhje dhe ka shtuar se do të japë llogari për këtë vetëm në LDK.
“Ky është një proces që shënon një pjekuri politike në Kosovë. Atë që duhet të bënte KQZ, po e bëjmë ne dhe shpallim rezultatet preliminare që janë marrë nga komisionerët dhe nuk janë të përfshira votat e mërgatës dhe ato me kusht.
Sipas numërimit të votave nga komisionerët dhe vëzhguesit tanë
LDK ka marrë 18.14 përqind
Lëvizja Vetëvendosje ka 39.88 përqind
PDK ka marrë 21.84 përqind
AAK NISMA ka marrë 7.62 përqind
LDK pret të ketë edhe 30-35 përqind nga vota e mërgatës.
Ne e respektojmë këtë rezultat dhe përgjegjësinë e marrë unë përsipër dhe për këtë do të japë llogari në LDK”, tha Lumir Abdixhiku.
Pak pas orës 23:00, Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në Kosovë, në një konferencë të jashtëzakonshme, ka bërë të ditur se për shkak të probleme teknike të aplikacionit, KQZ ka vendosur që numërimi të bëhet manualisht.
“Pas shumë përgatitjeve dhe testimeve që kemi bërë gjithçka ishte gati për rezultatet preliminare, por për shkak se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e këtyre të dhënave nuk ka funksionuar, ne nuk po arrijmë ti prezantojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike. Për këtë arsye, KQZ u kërkon ndjesë të gjithë qytetarëve. Në këto rrethana, KQZ ka shqyrtuar situatën dhe ka vendosur që të mbledhë të dhënat në mënyrë manuale nga të gjitha vendvotimet përmes formularëve të subjekteve politike, të cilat janë plotësuar.
Sigurojmë qytetarët që mostransmetimi i rezultateve përmes platformës elektronike nuk ka asnjë ndikim në rezultatet që janë pjesë e këtyre formularëve, në mënyrë manuale do t’i publikojmë”, njoftoi kryetari i KQZ-së në Kosovë.
Më tej, ai nuk dha një afat kohor kur mund të kemi një rezultat paraprak për zgjedhjet e së dielës. (A2 Televizion)