Shtetet e Bashkuara dënojnë me termat më të fortë sulmin e tmerrshëm të kryer në kanalin e Ibër Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok. Janë fjalët e ambasadorit amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier, pas takimi që ai dhe ambasadore të tjerë të vendeve të Quint zhvilluan me kryeministrin Kurti.
Hovenier tha se pavarësisht se është herët të dihet fajtori, në këtë fazë nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet.
“Momentalisht SHBA nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme për të pasur hetim të besueshëm dhe të plotë për t’i identifikuar përgjegjësit. Për momentin nuk jemi në gjendje të përjashtojmë asnjë grup apo shtet, pasi është shumë herët”.
Hovenier e cilësoi aktin si të pajustifikueshëm, dhe kërkoi hetim gjithëpërfshirës për nxjerrjen e autorëve para drejtësisë.
“SHBA mbështet një hetim gjithëpërfshirës dhe kemi ofruar mbështetje të plotë autoriteteve të Kosovës në këtë hetim. Mendojmë se është e rëndësishme që personat përgjegjës të identifikohen dhe mbahen përgjegjës. Ky akt I dhunshëm është i pajustifikueshëm, pasi vuri në rrezik qytetarët e Kosovës. Ne përshëndesim reagimin e autoriteteve të Kosovës që ndihmoi në zgjidhjen e asaj që do të ishte një situatë e tmerrshme”.
Autoritetet e Kosovës kanë ndaluar tetë të dyshuar lidhur me sulmin në Zubin Potok dhe kanë kryer bastisje në pjesën veriore të vendit. Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të dielën se të pandehurit D.V i ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji nën dyshimet se ka kryer veprën penale, rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike. (A2 Televizion)