Rusia vijon të ketë ndikim në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke nxitur Serbinë që të mos ndërmarrë hapa konkretë të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Në një prezantim të Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), u tha se Moska synon që dialogun ta çojë në OKB, në mënyrë që të fitojë një rol aktiv në këtë proces.
Lulzim Peci u shpreh: “Rusia e ka pozicionuar veten strategjikisht që të ndikojë në dialog në mënyrë të tërthortë, pasi nuk mundet në mënyrë direkte, por në mënyrë të tërthortë dhe mbi të gjitha, duke motivuar Serbinë për t’u përmbajtur nga ndërmarrja e hapave vendimtarë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”.
Letra e Serbisë drejtuar Bashkimit Evropian që nuk e pranonte Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit nuk ishte rastësi, pasi paraprakisht Rusia e kishte kundërshtuar fuqishëm të njëjtat. Sipas KIPRED, Rusia nuk dëshiron që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me sukses, sipas projekteve të Perëndimit.
Bekim Sejdiu tha: “Së pari, e kishte dëshmuar qartë zbehjen e ndikimit rus në arenën globale në përgjithësi, por duke përfshirë në Ballkan, së dyti e kishte konsoliduar shtetin e Kosovës si një prej shteteve më pro perëndimore në rajon dhe së treti do të kishte qenë shtytje e fortë për orientimin properëndimor të Serbisë. Është shumë e qartë që asnjëra nga këto Rusia nuk do t’i dëshironte”.
Qëllimet e Moskës me ndërhyjet në dialog janë që Kosovën ta mbajë si një “konflikt të pazgjidhur” dhe të përfitojë duke e përdorur si rast shkëmbimi me planet ruse në Ukrainë dhe Gjeorgji. Bekim Sejdiu deklaroi: “Qëllimi i parë prej dialogut është të delegjitimojë shtetin e Kosovës për sa është e mundur, sidomos në aspektin ndërkombëtar, të diskreditojë politikat e Perëndimit, të forcojë rolin e OKB-së, të forcojë rolin e Rusisë në Ballkan, sidomos në Serbi dhe në qarqet antiperëndimore në rajon”.
Moska, u tha në këtë konferencë, se e sheh Serbinë dhe forcat politike nacionaliste serbe në rajon si pengesë për përhapjen perëndimore në Ballkan. (A2 Televizion)