Partia Demokratike e Kosovës nuk i mbështet iniciativat e Ministrisë së Mbrotjes për futjen e lëndës së sigurisë në shkolla dhe atë të konceptit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse.
Gjatë një konference për media, në përgjigje të interesimit të A2 CNN, nga PDK kritikuan qeverinë Kurti për mungesë vizioni dhe aftësie në garantimin e sigurisë kombëtare dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mbrojtjes.
Besa Kabashi-Ramaj u shpreh: “Lënda për siguri në institucione arsimore nuk është e panjohur për ne. Ne kemi mësuar mbrojtje edhe më parë, në shkollë të mesme, nuk është diçka e re, ndërsa nuk po shoh që ka këtu ndonjë ide inovative se si të trajtohet sektori”.
Duke u ndalur të koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse, koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje në PDK tha se në planin zhvillimor të Forcës së Sigurisë parashihet që Kosova, përveç Rezervës, te këtë edhe Gardën Kombëtare, që është koncept shumë më i avancuar që e kombinon kapacitetin civil me kapacitetin ushtarak të një shteti: “Sa i përket shërbimit ushtarak obligativ, e kam thënë disa herë, që partnerët tanë strategjikë dhe vendet perëndimore janë larguar komplet prej konceptit të shërbimit ushtarak të obligueshëm”.
PDK kërkon që sektori i sigurisë të ketë një plan shtetëror të harmonizuar me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe jo të veprohet sipas tekave partiake: “Sektori i sigurisë dhe mbrojtjes asesi nuk guxon që të vazhdojë të jetë pre e axhendave politike, por duhet të jetë një axhendë kombëtare dhe për këtë arsye PDK është aktualisht duke punuar në një platformë për siguri kombëtare dhe mbrojtje, e cila e sheh dhe e planifikon sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes 10-20 vjet nga tani”.
Gjatë konferencës për media, PDK kritikoi iniciativat legjislative si Projektligjin për Inteligjencën Ushtarake dhe projektligjin për Këshillin e Sigurisë Kombëtare, që sipas tyre, shfaqin të meta të rënda. (A2 Televizion)