Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Paris me nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, në kuadër të një vizite që është duke zhvilluar në kryeqytetin e Francës, me ftesë të homologut të saj, Emmanuel Macron, për pjesëmarrje në një samit botëror për inteligjencë artificiale.
Përmes një deklarate për media, Presidenca e Kosovës ka thënë se Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për aleancën e Kosovës me SHBA-në, “duke konfirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët”.
Presidentja e Kosovës është takuar po ashtu edhe me Kryeministrin e Kanadasë dhe atë Grek, Kyriakos Mitsotakis.
Më herët gjatë këtij muaji, Osmani ka zhvilluar një mori takimesh me zyrtarë amerikanë dhe kongresistë në Uashington. Ajo ka thënë se me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump, Kosova synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të investimeve strategjike. (A2 Televizion)