Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njëherësh kandidat për një mandat tjetër për qeverisjen e vendit, në tubimin përmbyllës të LVV-së ka deklaruar se gjatë mandatit katër vjeçar për herë të parë Republika e Kosovës u bë shtet solidar.
Sipas Kurtit, 9 shkurti është datë e referendumit në Republikë për Republikë. “Zgjedhjet e 9 shkurtit janë referendum historik. 9 shkurti është datë e referendumit në Republikë për Republikë – cep më cep. E pikërisht me numrin 118 është që është përgjigja për në referendum mundësohen zgjedhjet edhe të rregullta edhe të zakonshme në vitin 2029. 9 shkurti i 2025-tës është referendum për katër vitet që shkuan. Në këtë mandat katërvjeçar për herë të parë Republika e Kosovës u bë shtet solidar që përkujdeset për të gjithë, pavarësisht nga vijnë njerëzit e ku jetojnë qytetarët…”.
Ndërkohë, duke folur për qeverisjen katër vjeçare Kurti tha se me LVV-në qytetarët lëvizin pa viza në Evropë, duke përmendur që kufiri në veri nuk lëviz.
“Ne ecim përpara me vetëbesim që thotë se ardhmja nuk është një stacion që na pret, por e ardhmja është një hapësirë që e krijojmë dhe një kohë që e fitojmë. Me neve edhe lëvizim pa viza në Evropë edhe nuk lëvizë kufiri në veri. Pra, me neve qeveria – qe veriu”.
Ndërkohe Konjufca, para simpatizantëve të tij pretendoi se zgjedhjet janë në 2029, pasi që nga ajo që po sheh zgjedhjet e vitit 2025-së kanë përfunduar. Konjufca nuk harroi të ironizonte edhe opozitën.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen më 9 shkurt të dielën. Fushata për këto zgjedhjet do të jetë më e gjatë sesa të deritashmet, meqë procesi parazgjedhor dhe zgjedhor organizohet me disa ndryshime që janë bërë në Ligjin për Zgjedhjet.
Me ligjin e ri, heshtje zgjedhore do të vlejë vetëm orët sa kutitë e votimit do të janë të hapura, ndryshe nga zgjedhjet paraprake ku fushata përfundonte një ditë para zgjedhjeve. (A2 Televizion)