Vetëvendosje pretendon rritje, Reuters citon dy sondazhe: Kurti bie në 40% të votave në zgjedhje

Nga Xhevahir Qardaku
6 Shkurt 2025, 20:25 | Politikë

Vetëvendosje dhe partitë e tjera të koalicionit të saj kanë humbur pikë politike. Kështu raporton agjencia e lajmeve ndërkombëtare Reuters, që citon dy sondazhe private që tregojnë se forca politike e Albin Kurtit ka rënë në kuotën e 40% të preferencave, në krahasim me 50,2% të votave që mori në zgjedhjet e vitit 2021.

Megjithatë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nga Lista Guxo në koalicion me Vetëvendosjen, pretendon se numrat janë në rritje: “Sondazhet që ne lexojmë tregojnë që popullariteti i kryeministrit Kurti gjatë katër viteve të mandatit të tij është i pathyer dhe mbetet shumë, po shumë i lartë. Mbështetja ndoshta është më e madhe për politikat e zbatuar në komunat veriore të vendit tonë”.

Zonja Gërvalla thekson për Reuters se rezultati i së dielës do të tregojë vlerësimin real të qytetarëve për qeverisjen Kurti: “Rezultati i zgjedhjeve do të tregojë që njerëzit kanë parë një menaxhim të mirë të krizave, kanë parë progres në ekonomi dhe që kanë qenë në gjendje, siç themi ne në Kosovë, ta ndjejnë dorën e shtetit dhe qeverisë në përmirësimin e jetës.”

Opozita mendon ndryshe dhe akuzon qeverinë Kurti se nuk ka bërë asgjë të mirë për qytetarët dhe vendin. Vlora Çitaku, kandidate e PDK për deputete, u shpreh: “Në katër vitet e fundit, fatkeqësisht, ne kemi parë zero progres në fushat më të rëndësishme që prekin jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë. Shoqëria është e polarizuar dhe marrëdhëniet tona me aleatët kryesorë kanë pësuar një tronditje të madhe. Ka pasur qindra milionë euro që janë premtuar për Kosovën në sektorë të ndryshëm që nuk kanë kaluar. Por përsëri, në fund të fundit, nuk bëhet fjalë vetëm për ato miliona që humbëm. Ajo që kemi humbur është besueshmëria si partner”.

Komuniteti serb thotë se nuk pret asgjë nga këto zgjedhje. Marko Milenkoviç, nga Iniciativa Sociale, thekson: “Shpresat e mia nuk janë të larta. Pres disa ndryshime, të paktën kështu shpresoj, por nuk mund të shkojë me keq, sepse ne vërtetë jemi shumë keq. Shpreson që këto zgjedhje të sjellin ndryshim. Do të kemi rikthimin e serbëve në disa prej institucioneve. Por thelbësore është që të kemi vullnet politik, veçanërisht nga Prishtina dhe Beogradi, por edhe fuqi politike nga Bashkimi Europian dhe komuniteti ndërkombëtar.”

Kosova mban zgjedhjet parlamentare këtë të dielë. Në të marrin pjesë 27 parti politike. Të drejtë vote kanë 1 milion e 970 mijë e 944 votues brenda Kosovës, ndërsa në diasporë janë regjistruar 104 mijë e 924 qytetar për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos