Roma nderon Italinë në “kupat e vogla”, Juve barazon në fund, bie Fiorentina

Nga A2 CNN
11 Maj 2023, 22:58 | Futboll
Roma nderon Italinë në “kupat e vogla”, Juve barazon

Me një kontroll total loje, por pak goditje në kuadrat dhe vetëm një gol, Roma tregoi se kërkon një tjetër finale në arenën europiane pas triumfit në Conference League.

Djemtë e Mourinho e mbyllën me rezultatin 1-0 gjysmëfinalen e parë në Europa League përballë gjermanëve të Leverkusen pa e vënë asnjëherë në dyshim rezultatin.

Tekniku portugez, ndonëse me mungesa të shumta në 11-shen që hodhi në fushë, tregoi se kishte ende sekrete për nxënësin e tij Xabi Alonso që ishte ulur në pankinën kundërshtare.

Goli për vendasit u shënua në minutën e 63 nga Bove, teksa Leverkusen e vuri vetëm një herë në rrezik portën e Romës në minutat e fundit nga një gabim i portierit.

Në ndeshjen tjetër të Europa League, Juventus barazoi në minutën e fundit me Sevilla, një nga njohëset më të mira të këtij kompeticioni.

Spanjollët shënuan në minutën e 26 me En Nesyri, teksa vendasit barazuan fund të takimit me Ghatti, duke lënë gjithçka të hapur për raundin e dytë.

Gjysmëfinalet e kthimit të Europa League do të luhen pas një jave ku do të përcaktohet dhe finalja e kupës së dytë europiane për nga rëndësia.

Ndërkohë që surpriza vjen në Conference League ku Fiorentina u mund në shtëpi 1-2 nga Basel, teksa West Ham kaloi pengesën e parë 2-1 ndaj Alkmaar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos