Rrumbullaku kthen të “vjetrit”, gazetari: Ndryshimet tregojnë që Drejtori e kaloi “testin” e 100-ditëshit

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2022, 20:33 | Aktualitet
Rrumbullaku kthen të “vjetrit”, gazetari: Ndryshimet

100 ditët e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Muhamet Rrumbullaku për ta nxjerrë policinë “nga udhëkryqi ku ndodhet” kanë përfunduar.

Dhe ndërsa afati i vënë nga kryeministri Edi Rama shkon drejt përfundimit, Rrumbullaku nisi një sërë lëvizjesh në hierarkinë e strukturave të policisë dhe ajo që po bie në sy është rikthimi i “të vjetërve.”

I ftuar mbrëmjen e së mërkurës në “Debat” me Alba Alishani, gazetari Sokol Bregu u shpreh se këto lëvizje tregojnë se Rrumbullaku e ka kaluar me sukses testin e tij të 100 ditëve. Sipas tij, nëse Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk do ta kishte marrë dritën jeshile për vete, nuk do të mund të lëvizte strukturat.

Mendoj që 100-ditëshi i tij i parë, me fat apo me punë qëlloi i suksesshëm. 30 ditët e fundit nuk ka pasur asnjë ngjarje të rëndë kriminale. Edhe ato që ndodhën në 100 ditë kanë qenë të menaxhuara mirë, veç goditjes së liderit të opozitës. Këto ndryshime tregojnë se ka marrë një OK për 100-ditëshin e parë të punës së tij.

Sokol Bregu, gazetar

Sa i përket faktit që Rrumbullaku po kthen të “vjetrit”, reporteri i A2 CNN, Jul Kasapi theksoi ndryshimet nuk janë ende zyrtare dhe kjo mund të nënkuptojë që mund të ketë pasur një problematikë.

Ndërsa solli vëmendjen te ndërhyrja politike në Policinë e Shtetit, Kasapi theksoi po ashtu se ka ardhur koha që të mos ketë më drejtorë të vjetër në drejtori të reja.

Ndryshimet nuk janë bërë zyrtare, kjo do të thotë se mund të ketë pasur një problematikë që nuk i ka zyrtarizuar këto ndryshime. Akademia e Policisë është kthyer në një strehëz të rehabilitimit. Ka ish-drejtues policie që në kohën e Tahirit dhe tashmë rikthehen si drejtues qarqesh, ndërkohë që më parë kanë qenë, po drejtues qarqesh. Ka dhe nga ata drejtues që kanë provuar çdo drejtori të mundshme dhe ka informacione që mund të rikthehen sërish për t’u provuar për të 100 herë.

Jul Kasapi, reporter A2 CNN

Kurse, eksperti i sigurisë Fatjon Softa, theksoi se e mira do të ishte që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ta marrë mandatin nga Parlamenti shqiptar pasi është një rol që duhet të ketë një lloj pavarësie.

“Janë ndryshuar 5 drejtorë të përgjithshëm në 8 vite. Kaq mjafton për ta kuptuar se çfarë ndodh në policinë e shtetit. Në krye të Policisë së Shtetit është vendosur një profesionist që pa zhurmë po ndërton struktura,” shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos