Albin Kurti u nis për në Bruksel me një zotim tepër të qartë: në veri të Kosovës nuk do të ketë një Republika Srpska. Kryeministri foli për median kroate “Hina” lidhur me takimin e nivelit të lartë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, duke konfirmuar se pret që Bashkimi Europian t’i prezantojë draft statutin për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të kishte qenë më mirë sikur të ma kishin paraqitur fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare europiane për mbrojtjen e pakicave.”
Në intervistën për median kroate, Kurti theksoi se sheh ngjashmëri të mëdha të Serbisë me Rusinë, sa i përket marrëdhënieve me vendet fqinje. Si për të konfirmuar këtë, qeveria e Beogradit u hodh në një sulm diplomatik ndaj Prishtinës duke lëshuar një sërë akuzash lidhur me takimin e së martës. Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, pretendoi se takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel do të përfundojë me dështim pasi sipas tij, Kosova do të vijojë me shmangien e formimit të asociacionit. Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, deklaroi se kryeministri i Kosovës nuk ka asnjë kompetencë të lejojë apo të mos lejojë diçka kur bëhet fjalë për asociacionin, sepse mënyra se si do të formohet janë përcaktuar përmes katër marrëveshjeve të Brukselit nga viti 2013 dhe 2015. Më i ashpër është treguar Milovan Dreçun, kryetar I komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, i cili komentoi hapjen e urës së Ibrit, duke thënë se ky vendosim çon në “zhvillime serioze të armatosura”. (A2 Televizion)