Problemet e shëndetit mendor janë neglizhuar dhe stigmatizuar. Numri i personave të prekur me problemet e shëndetit mendor është në rritje, për të gjithë kategoritë e moshave por jo të gjithë që kanë probleme me ankthin, depresionin, çrregullimet e sjelljes marrin ndihmën që kanë nevojë.
Sëmundjet e shëndetit mendor, si çdo sëmundje tjetër nuk kalojnë vetë. Duhet ndihma dhe ndërhyrja e mjekëve.
Përmes intervistave me ekspertë të fushës dhe shifrave zyrtare do të paraqesim në këtë episod të “31 Minuta”, një panoramë mbi sfidat që kanë personat dhe sistemi për t’u përballur me këtë pandemi të fshehur.
Sipas ekspertëve të fushës, të paktën një në shtatë persona në Shqipëri ka një problem të shëndetit mendor. Problemet e shëndetit mendor variojnë nga ankthi, depresioni, skicofrenia, çrregullimet e të ngrënit, të sjelljes etj.
Janë shtuar dhe OBSH referon një në 8 persona në botë në nivel global që vuajnë nga çrregullimet e shëndetit mendor. Jemi në këto kushte a diçka më shumë edhe në Shqipëri. Nuk kemi të dhëna statistikore të sakta. Nuk është bërë asnjëherë depistimi i popullatës në mënyrë që të kuptojmë se në çfarë niveli i kemi realisht problematikat e shëndetit mendor. Kjo është një gjë që Urdhërim i Psikologut e ka kërkuar prej kohësh që të realizohet, ndoshta nuk ka ardhur momenti i duhur, por jemi në kushtet që duhet ti bëjmë një depisitim situatës për të kuptuar se në çfarë situate jemi me problemet e shëndetit mendor.
Valbona Treska - Psikologe
Pandemia e COVID-19 ka kontribuar në shumëfishimin e këtyre problemeve.
Janë shtuar padyshim rastet që vijnë në fakt tek psikologu, janë shtuar dhe problematikat e ankthit shumë, ka persona që vijnë me problemin e ankthit, por mund të mos jetë ankth, por është një gjendje emocionale e ngarkuar ku njerëzit e etiketojnë si ankth.
I të njëjtit mendim është edhe psikiatrja për fëmijët dhe adoleshentët Besmira Zenelaj e qendrës kombëtare terapeutike dhe rehabilituese për fëmijët në zonën e Kombinatit.
Valbona Treska - Psikologe
Përpara pandemisë, nëse po flasim në ditë mund të kenë qenë 5-6 konsulta, ndërkohë tani shohim një rritje të numrit të fëmijëve dhe adoleshentëve të paraqitur ku shohim 9-10 konsulta në ditë.
Besmira Zenelaj - Psikiatre
Edhe psikatrja për të rriturit Arjana Rreli tregon që konsultat janë rritur pas pandemisë.
Këtë mund ta them në mënyrë empirike. Ne shikojmë se në krahasim me 3 vitet më parë janë dyfishuar rastet e kërkimit të ndihmës në qendrën tonë. E kjo nisur nga numrat që ne i bazohemi në regjistër. Është e vërtetë që janë rritur shërbimet, është e vërtetë që janë rritur dhe nevojat e popullatës për të marrë ndihmë, por janë rritur shumë edhe mënyrat se si ne e referojmë problematikën.
Një ndër problemet kryesore sipas ekspertëve të fushës është stigma, droja për të folur për shëndetin mendor. Gjatë intervistës për “31 minuta” psikologia Valbona Treskaj, njëkohësisht dhe presidente e urdhërit të psikologëve në Shqipëri konfirmon se droja për të folur për problemet e shëndetit mendor është shumë e madhe.
Arjana Rreli - Psikiatre
Numri i rasteve që referohet në qendrat e shëndetit mendor apo në institucionet e shëndetësisë kryesisht publike, jo private, janë disa fish më të ulura se sa rastet dhe shifrat neve mendojmë që ka realisht në popullatë. Kjo për një sërë arsyesh, e para se ekziston stigma e madhe që nëse unë do shkoj e të kërkoj ndihmë njerëzit do më paragjykojnë pastaj që kam këtë problematikë, e dyta që familjarët tentojnë ta shtyjnë problemin në kohë nëse shikojnë që ka diçka që nuk shkon në një person i familjes, tek një pjesëtar i familjes, sepse nuk duan ta pranojnë faktin dhe shpesh na vijnë njerëz apo raste që kanë shkuar deri në një pikë që nëse do të kishin marrë ndihmë më përpara padyshim që mund të kishin pasur përmirësim të dukshëm e mund të kishin vazhduar një jetë shumë më cilësore. Pse, sepse problem shtyhet se jo nuk është kështu siç duket, se mund të kalojë, nëse kemi një gjendje depresioni, dikush që qëndron vetëm, që përpiqet të izolohet ju duket sikur është diçka e përkohshme që do kalojë vetë e nuk e kuptojnë që asnjë gjë nuk kalon vetë. As sëmundjet fizike nuk kalojnë vetë nëse ti nuk merr trajtimin e duhur, ashtu si për sëmundjet e trupit njeriu duhet të marrë trajtimin e duhur, duhet të marrë medikamentet e duhura ashtu edhe për problematikat e shëndetit mendor duhet të marrin ndihmën e duhur, me psikolog, me psikiatër kur është nevoja dhe me medikamente kur është e nevojshme.
Valbona Treska - Psikologe
Fjala psikiatër rëndon ende shumë për shoqërinë tonë, ka ndryshuar paksa qëndrimi për ndaj fjalës psikolog, por sido që të jetë në momentin që shikojnë është më mirë ta drejtojnë në një psikolog se pastaj patjetër e drejtojnë edhe tek psikiatri. Ajo që do thosha një “Jo” me të madhe është të mos bëjnë gabim të trajtohen me mjekime me të dëgjuar nëpër njerëz të tjerë.
Në të njëjtën kohë, problemet e shëndetit mendor në Shqipëri kanë hasur edhe në një neglizhencë të vetë qytetarëve dhe autoriteteve përkatëse për ti adresuar, sidomos në grupmoshat e reja.
Besmira Zenelaj - Psikologe
Ajo që konstatohet nëpër shkolla nuk është mungesa e psikologut por është akoma nevoja për ndërgjegjësim e stafeve akademike të shkollave, e stafeve pedagogjike të shkollave, prindërve, por edhe vetë nxënësve për tu qasur drejt psikologut. Domethënë shikohet që ka akoma një ngurtësim. Mësuesit shpesh mendojnë që mund ta zgjidhin vetë pa prezencën e psikologut, Duhet të kuptojmë që mësuesi është atje për një punë të caktuar, është trajnuar qe të ketë mësimdhënie të mirë ndaj nxënësve, ndërkohë ka një specialist shkolla që në këtë rast është psikologu, apo punonjësi social nëse duhet edhe përfshirja e këtij të fundit që duhet të bëjnë punën e tyre nëse kemi problematika të shëndetit mendor dhe probleme psikologjike të nxënësve. Kështu që kjo është një thirrje edhe për mësuesit që duhet të bashkërendojnë punën e tyre me psikologun dhe punonjësin social. Puna e mirë bëhet në ekip, puna e mirë nuk bëhet asnjëherë vetëm
Në të njëjtën kohë, një problem tjetër i vërejtur nga ekspertët është edhe diversiteti në moshat e prekura nga shqetësimet mendore, dhe ulja graduale e moshës, duke I vënë dhe të rinjtë dhe fëmijët përballë këtij fenomeni.
Valbona Treska - Psikologe
Duke qenë se unë jam mjeke për të rriturit shoh që mosha aktive është ajo që vuan më tepër, ajo moshë e cila kërkon që të jetë në krye të aktiviteteve, që të çojë përpara mbarëvajtjen ekonomike, sociale, është ajo që vuan më tepër e që vjen më shpejt për të treguar problemin e vet, pra moshat 20-50 vjeç janë ato që sjellin më së shumti ankesat e më shpejt, por nuk përjashtohen edhe moshat e mëdha ku vetmia është nga shkaqet madhore.
Përgjithësisht, aktualisht janë gjendjet e ankthit që ankohen më tepër dhe gjendjet e ankthit fillojnë që nga një çrregullim i lehtë i humorit, i sjelljes me nervozitet më të lartë, ka këto shenjat klasike të frymëmarrjes së rënduar, dhimbjes së kokës, ka marrjen e mendve, mungesën e përqendrimit, dhimbje të gjymtyrëve, mpirje,
Atake paniku kur ky person sulmon, kur ky person ka frikë se rrahja e zemrës mund ta çojë në ndalim të zemrës e cila nuk është e vërtetë, ka frike se humbet kontrollin mbi realitetin dhe kështu nuk përfshihet në ambient, fillon që rrethin e vet të veprimeve e ngushton, nuk ngjitet në ashensorë, në lartësi.
Arjana Rreli - Psikiatre
Raporti i vitit 2022, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tregon që 970 milion njerëz vuajnë nga problemet e çrregullimit mendor, pra 13% e popullsisë botërore. Nga ky numër, 52.4% janë meshkuj dhe 47.6% janë të gjinisë femërore. Çrregullimet më të shpeshta mendore janë ankthi, depresioni, çrregullimi i zhvillimit (idiopatik), Çrregullim i deficitit të vëmendjes/hiper-aktivitetit, bipolariteti dhe shumë çrregullime të tjera. Nga kjo shifër totale, 52,4 milionë njerëz janë fëmijë dhe adoleshentë të grupmoshës 1-14 vjeç, ose 5,3% e personave me shqetësime të shëndetit mendor.
Urdhri i psikologut konfirmon faktin që vit pas viti mosha që vuan nga crregullimet e shëndetit mendor është ulur.
Mosha është ulur, ne kemi pasur raste të fëmijëve që kanë shfaqur problematika kryesisht me ankthin e të fëmijëve në moshën 10-11 vjeç ndoshta edhe me të vegjël që kanë pasur problematika me ankthin. Çrregullime ne sjellje, apo sjellja agresive, agresiviteti i shtuar te fëmijët ka disa problematika që hasen tek fëmijët, por kryesisht pas pandemisë dhe pas tërmetit kemi pasur çrregullime të ankthit edhe tek fëmijët.
Megjithatë, të gjitha këto probleme shumfishohen dhe nga çështja e mungesës së profesionistëve në fushën e shëndetit mendor.
Valbona Treska - Psikologe
Kemi 1400 psikologë të shtrirë në gjithë Shqipërinë, padyshim që zonat më të populluar janë psikologë ku janë të përqendruar në qytetet kryesore. Kemi më pak psikologë në zonat e caktuara siç mund të jenë zonat e largëta të kryeqytetit apo zona të largëta të Shqipërisë siç mund të jenë: Kukësi, Dibra, Gjirokastra, Saranda, kemi numrin më të ulët të psikologëve. Kjo edhe për shkak të dendësisë së popullatës për tu dyndur në kryeqytet. Po kemi mjaftueshëm psikologë në të gjithë Shqipërinë për të përballuar problematikat e shëndetit mendor që popullata jonë shfaq kryesisht vitet e fundit ku kemi pasur problematika të shtuara, të mbivendosura siç kanë qenë pandemia e cila ka nxjerrë në pah më shumë rolin e psikologut se sa nxori problemet e ankthit, depresionit, apo te stresit të popullatës.
Valbona Treska - Psikologe
Organizata Botërore e Shëndetësisë, në raportin e saj mbi shëndetin mendor të vitit 2020, e ka nxjerrë në pah problemin e mungesë së profesionistëve në këtë fushë.
Për vitin 2020 Shqipëria ka pasur 46 psikiatër, 250 infermierë për shëndetin mendor, 43 psikologë, 34 punonjës social, punonjës të tjerë të specializuar të shëndetit mendor (p.sh. terapistët profesionistë) 20 si dhe 8 psikiatër për fëmijët, pra në një total prej 401 staf të specializuar për tu marrë me çrregullimet e shëndetit mendor. Një shifër larg asaj të përmendur nga Presidentja e urdhrit të psikologut.
Po sipas këtij raporti të OBSH, vendet fqinje si Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria apo Italia, pavarësisht numrit të popullsisë, kanë një mesatare më të lartë profesionistësh të shëndetit mendor dedikuar popullsisë, në mënyrë respektive me 17.36, 67.84, 26.31 dhe 43.28 profesionistë dedikuar 100,000 banorëve, krahasuar me mesataren e Republikës së Shqipërisë prej vetëm 13.64 profesionistë për njëqind mijë banorë. Këto të dhëna tregojnë një panoramë Akoma edhe më të zymtë kur shihet se për çdo 100000 shqiptarë, nuk ekzistojnë tashmë as dy profesionistë të certifikuar.
Kjo situatë rrezikon të përkeqësohet edhe më tej, për shkak të mungesës së studentëve të rinj në profesion për shkak të përzgjedhjes së specialiteteve të tjera, apo edhe largimit të tyre drejt vendeve të tjera.
Ne kemi diku tek 60-70 deri në 100 psikologë të rinj që diplomohen rishtazi nga universitetet ose dhe pak më shumë ndoshta, nuk kam shifra të sakta për numrin e diplomimit. Por, ama duhet të kuptojmë që jo të gjithë ata që diplomohen përfundojnë studimet preferojnë të ushtrojnë profesionin në Shqipëri. Neve kemi një largim në masë edhe të ringjeve dhe padyshim që këtë largim në masë nuk ka lënë mënjanë edhe profesionin e psikologut, edhe psikologët largohen. Kështu që po ne kemi psikologë që ndjekin procedurat pranë Urdhrit të Psikologut për të marrë licencën e për të vijuar pastaj me gjithë procedurat që ne kemi për të ushtruar profesionin. Një ndër këto procedura është dhe praktika profesionale
Valbona Treskaj - Psikologe
Ne mbulojmë nevojat e në popullate prej 40 mijë personash të Tiranës. Është një shifër shumë e lartë, por aktualisht me qenë se ne jemi staf i plotësuar ne mund të delegojmë kompetenca, për shembull nëse vjen një rast I cili prioritetin e ka për të marrë një terapi psikologjike atëherë në marrim kohën duke e çuar tek psikoterapisti, ndërkohe që plotësojmë nevojat primare te dikujt tjetër i cili ka nevoje për ndërhyrje medikamentoze dhe shpërndarja e punës na lejon deri diku që tëe arrijmë dhe ta menaxhojmë mirë ngarkesën aktuale.
Arjana Rreli - Psikiatre
E gjithë bota sot është duke nxjerrë në pah nevojat më shumë se kurrë e gjithë bota ka për profesionistë të shëndetit mendor. Po të flasim për Shqipërinë jemi akoma më tepër në nevojë se edhe me kuadron nuk jemi shumë të plotësuar, mbartur paragjykimin që edhe profesionistët e shëndetit mendor janë të pakët në fushë se një mjek i sapodalë më shumë preferon të bëhet një kardiolog, gjinekolog se sa një psikiatër, por që nevojat janë shumë në rritje.
Shëndeti mendor është një çështje që për shoqërinë shqiptare mbetët ende tabu për tu diskutuar. Stigma e lidhur me problemin, përkeqësimi i situatës post pandemisë, mungesa e theksuar e interesimit të qytetarëve për të marrë diagnozën e përshtatshme, ndjekjen dhe përfundimin e trajtimit, por edhe mungesat e theksuara në numrin e profesionistëve të fushës dhe pakësimi I tyre vit pas viti, janë faktorë të cilët ndikojnë negativisht në këtë problem. (A2 Televizion)