Arsenali i armëve në Tiranë, dënohet me 13 vite burg nipi i Nehat Kullës

Nga A2 CNN
12 Qershor 2024, 14:20 | Aktualitet

Arsenali i armëve në Tiranë, dënohet me 13 vite burg nipi i

Akil Kulla, nipi i Nehat Kullës, i cili njihej si një nga krerët e bandave kriminale në vitin 1997, është dënuar me 13 vite burgim për “armëmbajtje pa leje”. Kulla përfiton nga gjykimi i shkurtuar e për rrjedhojë do të vuajë 1/3 e dënimit, ose 8 vite e 8 muaj.

Ai akuzohet për sigurimin, magazinimin, modifikimin dhe rregullimin e armëve me qëllim shitjen kundrejt fitimit të armëve dhe pjesëve të tyre dhe gjetjes së tyre në sasi mjaft të mëdha në ambientet në zotërim të tij.

“Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm, duke u dënuar i pandehuri Akil Kulla me 13 (trembëdhjetë) vjet burgim.

7. Në aplikim të nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penale, ulet 1/3 e masës së dënimit duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Akil Kulla me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim”, thuhet në vendimin e GJKKO-së.

Si i penduari i drejtësisë zbardhi skemën?
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga A2, teksa ka “zbërthyer” para hetuesve skemën se si siguroheshin, modifikoheshin dhe trafikoheshin armët, i penduari i drejtësisë, Enver Jamaku ka treguar për armët që sipas tij, bashkëpuëntori i Kullës, Sokol Xhura, i kishte sjellë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ka pasur edhe 7 armë zjarri pistoleta Glock, që i ka sjellë nga Amerika. Tre nga këto ia ka shitur shtetasit Akil Kulla. Sokoli këto i sillte nga Amerika pjesë-pjesë. Disa pjesë i sjell me postë, të cilat i priste në emrin e Akil Kullës. Disa pjesë të tjera të pistoletave i ka sjellë të futura brenda automjeteve që sjell nga Amerika”.

Një tjetër vend origjine i armëve, i rrëfyer nga Jamaku ishte Mali i Zi, vend ku siguronte armët Petrit Shera. “Unë kam qenë me shtetasit Akil Kulla dhe Sokol Xhura te shtëpia e Petritit, pasi, do të shikonim disa armë. Aty kam mësuar se Petriti i merrte armët nga Mali i Zi. Atij i sillnin pistoleta të prodhimeve të reja nga Mali i Zi në Shkodër dhe më pas dikush ia sillte atij nga Shkodra”.

Por, sipas Jamakut, Mali i Zi ishte dhe destinacion i armëve të grupit. Në një prej rasteve, i penduari ka treguar se një pushkë dhe një kallashnikov të modifikuar do të dërgoheshin në vendin fqinj. Në të njëjtën dëshmi, Jamaku, ka treguar edhe se disa prej armëve ishin marrë nga uzina e armëve të ushtrisë. Numrat e armëve që shkonin për riparim nga institucionet shtetërorë iu stampoheshin nga një prej të arrestuarve armëve të tjera të ngjashme dhe më pas armët shtetërore shiteshin për llogari të grupit. Dëshmia e Jamakut çoi në pranga 9 persona, shpalli në kërkim disa të tjerë dhe zbuloi bazat e armatimit në Tiranë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos