Dimrat ikin e vijnë, por problemet e banorëve në fshatrat e Kukësit mbeten po të njëjtat. Jeta e tyre gjatë dimrit është një sfidë e vërtetë. Problemet nisin që nga rrugët e lëna në mëshirë të fatit e deri tek problemet me furnizimin me energji elektrike.
Mjafton të dalësh pak minuta në rrugën që lidhin fshatrat e Mamëzit, Surroit dhe Arrnit me qytetin e Kukësit dhe nuk është e vështirë të kuptosh harresën e institucioneve ndaj këtyre banorëve.
Në kushtet kur rinia e këtyre zonave ka emigruar e gjitha dhe në fshatra kanë mbetur vetëm moshë e tretë, këta të fundit e kanë akoma më të vështirë të kalojnë netët pa energji elektrike.
Edhe pse nuk kanë ndonjë shpresë, banorët vijojnë të apelojnë për vëmendje dhe pak investime nga institucionet, që të paktën t’u lehtësojë sadopak jetesën moshave të treta. (A2 Televizion)