Ish-drejtori i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, Dritan Minxolli, refuzoi të dëshmonte në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Minxolli shfrytëzoi të drejtën për të mos dëshmuar, njëlloj siç bënë më pas edhe dy dëshmitarët e tjerë, ish të pandehur në dosjen "Gërdeci", Sokol Ngjeçi e Besnik Dauti.
I vetmi që pranoi të japë dëshmi ishte Rezart Tërshana, ish-shef sektori në Drejtorinë Juridike në Ministrinë e Mbrojtjes. Tërshana tha se kishte qenë anëtar i komisionit të çmimeve të municioneve për demontim.
"Ne përcaktimin e çmimit për demontim, elementet e kostos ishin në një anë, vlera e mbetjes, produktet që përftohej në anën tjetër. Diferenca nxirrte çmimin. Ne nuk kemi llogaritur kostot e transportit. Komisioni i çmimeve e vendoste çmimin në magazinë. Ne nuk e dinim se ku do të shkonin. Ne madje nuk dinim as depot nga do merreshin. Me to merreshin strukturat ushtarake", tha dëshmitari.
Në përgjigje të avokatëve, Tërshana tha se procesi i demontimit nuk ka qenë asnjëherë me fitim.
"Ndër vite janë shpenzuar 30-35 milionë euro të shpenzuara nga buxheti i shtetit për demontimin. Gjithmonë është shpenzuar. Ndaj çdo çmim që vinte nga kompanitë private të licensuara ishte i favorshëm për ne. Kemi qenë të lirë në marrjen e vendimeve. Asnjëherë, ish-ministri Mediu nuk ka dhënë orientime, apo ndikuar", vijoi Tërshana.
I pyetur nga vete i pandehuri për marrëdhënien mes tyre, dëshmitari tha se kishin pasur vetëm raport profesional për shkak të punës, jo miqësi.
"Asnjëherë nuk më keni orientuar, apo ndikuar. Demontimi ishte një kërkesë ligjore. Demontimi ishte çështje sigurie, jo çështje fitimi. Unë nuk e kam takuar ndonjëherë Mihal Delihorgjin. Nuk dija as marrëdhënien e tij me Sac Albademil", tha ai. (A2 Televizion)