Nënshkruhet memorandumin, studentët e Kolegjit të Evropës, ambasadorë të turizmit shqiptar

Nga A2 CNN
29 Shkurt 2024, 15:47 | Aktualitet

Nënshkruhet memorandumin, studentët e Kolegjit të Evropës,

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini firmosën sot një memorandum mirëkuptimi për promovimin e kulturës, trashëgimisë, pasurive natyrore të Shqipërisë përmes angazhimit të studentëve të Kolegjit të Evropës me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit.

Sipas këtij memorandumi, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit, do të hartojë itineraret turistike dhe do të sigurojë udhërrëfimin turistik përmes udhërrëfyesve të certifikuar nga kjo ministri.

“Jam e lumtur që ky kolegj nuk do të mirëpresë vetëm studentë shqiptarë, por studentë nga gjithë Europa dhe bashkë me Federikën kemi vendosur që këtyre studentëve t’u japim jo vetëm dijen për të cilën kolegji i Evropës është gjithë mjeshtëria që mund të imagjinohet në fushën e diplomacisë dhe të shkencave politike, por t’u japim edhe një shije të mirë të Shqipërisë sepse njëra nuk shkon pa tjetrën,” tha ndër të tjera Kumbaro.

Kolegji i Europës është duke hapur kampusin e tij në Tiranë për të nisur vitin akademik në shtator, me 31 studentët e parë nga gjithë Europa.

“Unë jam shumë krenare që falë këtij bashkëpunimi që nënshkruam sot, do t’u ofrojmë studentëve tanë mundësinë për të eksploruar trashëgiminë kulturore, bukuritë natyrore, historinë dhe gjithçka që Shqipëria ofron. Kjo do të përmirësojë ndjeshëm procesin e të mësuarit të studentëve sepse një pjesë integrale e dijeve ka të bëjë me të kuptuarit e historisë dhe kulturës lokale dhe rajonale,” deklaroi Mogherini.

 “Albania, All u need is here” ishte slogani vitin që shkoi, kurse slogani i këtij viti do të jetë “Albania All Senses”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos