Myftiu i Tiranës Gazment Teqja, i cili do të përfaqësojë Komunitetin Mysliman të Shqipërisë në ceremoninë e inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, ka publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku për të parën herë duken ambientet e brendshme të objektit të kultit, që do të presë deri në 5000 besimtarë.
Teqja, i cili do të jetë edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë, i përlotur shprehet se kanë pritur 3 dekada për të mbërritur te kjo ditë e madhe për besimtarët myslimanë.
“Përshëndetjet më të përzemërta dhe selamet më të ngrohta të gjithë vëllezërve dhe motrave besimtarë shqiptarë, por jo vetëm, në Shqipëri dhe në të gjithë trojet. Për Zotin është ditë e madhe sot! Të gjithë sytë e shqiptarëve dhe Shqiptarisë janë të drejtuara te ky event i madh që do të ndodhi sot. Hapja e Xhamisë së Madhe. Mbi tre dekada që e presim hapjen e kësaj xhamie, ndërtimin e kësaj xhamie. Desh Zoti i madh që u bë realitet. Edhe pak orë na ndajnë nga inaugurimi i madh. Ju siguroj për diçka, që do të jetë diçka madhështore. Do të jetë diçka e mrekullueshme. Kjo xhami do të jetë burim i mirësisë, burim i fesë së bukur, ruajtja e traditës. Zoti e bëftë të hairit dhe Zoti na ndihmoftë që të bëhet më e mira. O zot faleminderit! Edhe e gëzofshin të gjithë shqiptarët dhe faleminderit të gjithë atyre që kanë kontribuuar, qoftë donatorët, qoftë ata të cilët kanë kontribuuar edhe me formën më të thjeshtë për arritjen e kësaj dite. Zoti ju dashtë të gjithëve dhe vetëm mirësi e begati ju uroj!”, thotë Teqja. (A2 Televizion)