Erdogan rikthehet në Tiranë, inauguron xhaminë e Namazgjasë, shmang kreun e KMSH

Nga Fjorela Beleshi
9 Tetor 2024, 13:43 | Aktualitet

Presidenti turk Recep Tajip Erdogan rikthehet në Tiranë për një vizitë zyrtare disa orëshe. Si pala shqiptare edhe ajo turke kanë qenë hermetike sa i përket agjendës të Erdogan, por A2CNN ka mësuar se avioni presidencial turk do të ulet në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në orën 11:00 të së enjtes.

Takimin e parë do ta zhvillojë me kreun e shtetit shqiptar Bajram Begaj, në orën 11:30, për t’u zhvendosur më pas në zyrën e Kryeministrit Edi Rama. Përveçse takimeve me delegacionet përkatëse, Turqia dhe Shqipëria do të nënshkruajnë edhe 3 marrëveshje si pjesë e komitetit ndërministror mes dy vendeve, raporton A2 CNN.

Dalja para mediave Erdogan-Rama në selinë e qeverisë është parashikuar të mbahet rreth orës 13:00. Kjo vizitë përkon pas publikimit të idesë së Kryeministrit Shqiptar për krijimin e shtetit Bektashi, por mes dy vendeve mbeten gjithmonë kryetemë e diskutimeve armiqtë e Erdogan, Gulenistët në Shqipëri.

Momenti kulmor i rikthimit të Erdogan në Shqipëri, pas gati 3 vitesh, ka të bëjë me inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, një objekt kulti i ndërtuar me ndihmën e Qeverisë turke, që prej vitesh kishte mbetur peng i marrëdhënies mes drejtuesit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Presidentit turk, shkruan A2 CNN. 

Për këtë arsye në ceremoninë e pasdites të së enjtes, e cila është parashikuar të mbahet rreth orës 16:00, nuk do të jetë i ranishëm drejtuesi i KMSH Bujar Spahiu.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë.”

E paqartë është situata se kush do të jetë imami që do të drejtojë Xhamisë së Namazgjasë, teksa pak ditë më parë në rrjetet sociale u fol për një komandim nga Turqia, por që më pas u fshi.

Komuniteti Mysliman e pranon që kjo Xhami do të jetë një kompleks multifunksional, e cila do të menaxhohet nga të dyja palët, Shqipëria dhe Turqia.

Përveç politikanëve, në ceremoninë e inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë janë ftuar edhe besimtarët myslimanë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos