Rama do të kërkojë heqjen e “non gratës” nga Greqia për Marin Memën, Unioni i Gazetarëve: Veprim i vonuar

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2024, 13:14 | Aktualitet

Kryeministri Edi Rama tha nga Selaniku se do t’i kërkojë shtetit grek të heqë vendimin për të shpallur “non grata” gazetarin shqiptar, Marin Mema, vendim i marrë 12 vite më parë, raporton A2 CNN.

“Dua të besoj se ministri i Jashtëm i Greqisë, vetë qeveria greke do t’i përgjigjen me logjikën e shëndetshme europiane, kërkesës që do ta nisim që nesër të hequr vendimin që i është bërë për të ndaluar gazetarin Marin Mema për të hyrë në Greqi...” deklaroi ndër të tjera Rama.

Pas kësaj deklarata ka reaguar Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, që e quan të vonuar këtë veprim të lajmëruar nga qeveria. “Kërkesa e Kryeministrit të Shqipërisë zotit Edi Rama për “rishikimin e një vendimi absurd 12 vite më parë për të ndaluar gazetarin Marin Mema që të hyjë në Greqi”, është një reagim i vonuar i qeverisë së Shqipërisë”, thuhet në një deklaratë.

“UGSH është e vetmja organizatë e gazetarëve profesionistë në Shqipëri që në mënyrë të përsëritur e ka ngritur zërin për këtë vendim absurd të autoriteteve greke ndaj këtij gazetari të njohur dhe disa rasteve të tjera me kolegë të mediave të tjera. UGSH, ndaj këtij rasti, ka protestuar para Ambasadës së Greqisë në Tiranë, para Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe u është drejtuar Federatës Europiane të Gazetarëve dhe Reporterëve pa Kufi, për solidaritet. Në disa takime dhe forume UGSH ka kërkuar ndjekjen e kësaj çështjeje dhe reagimin e palës greke për rishikimin e këtij vendimi dhe mospërsëritjen e sjelljeve penguese ndaj gazetarëve për lëvizje dhe qarkullim të lirë mes dy vendeve tona”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos