
Spitali Universitar i Traumës ka bërë me dije se efektivi i Policisë i plagosur gjatë një aksioni në Maliq vijon të jetë në gjendje të rëndë, por të stabilizuar dhe nën kujdes intensiv mjekësor.
Sipas njoftimit zyrtar, efektivi Edison Adri mbetet i intubuar, ndërsa parametrat e tij jetësorë janë të qëndrueshëm dhe po shënohen shenja përmirësimi të vazhdueshëm. Ekipi mjekësor vijon ta monitorojë në mënyrë të pandërprerë, duke e mbajtur nën mbikëqyrje të specializuar, shkruan A2CNN.
Efektivi mbeti i plagosur gjatë operacionit policor për arrestimin e Violand Braçellarit, një aksion i cili më herët është shoqëruar edhe me humbjen e jetës së efektivit të Policisë, Enea Mekolli. Operacioni vijon të jetë pjesë e hetimeve dhe verifikimeve për rrethanat e ngjarjes.
“Gjendja shëndetësore e efektivit të Policisë, i ardhur nga Korça dhe i shtruar pak ditë më parë në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), vijon të jetë i intubuar, me parametra jetësorë të qëndrueshëm dhe në përmirësim të vazhdueshëm.
Ekipi mjekësor i SUT-së do të vijojë ndjekjen në dinamikë të gjendjes shëndetësore të efektivit të Policisë dhe do të informojë mbi çdo zhvillim të mëtejshëm”, thuhet në reagimin e Spitalit të Traumës. (A2 Televizion)