Universitetet nuk do të varen dhe as do të vlerësohen nga Akademia e Shkencave për kërkimin shkencor. Ligji për shkencën, tashmë i miratuar nga Kuvendi, ju riktheu institucioneve të arsimit të lartë autonominë universitare dhe lirinë akademike që synonte tua hiqte drafti i Ministrisë së Arsimit.
Kryetari i konferencës së rektorëve Artan Hoxha thotë për A2 CNN se shkollat e larta arritën të mbronin lirinë akademike, të pavarur nga Akademia e Shkencave.
Në qëndrimin e tij Artan Hoxha, njëherësh rektor i Universitetit të Tiranës, tregohet i kujdesshëm për pjesën e Akademisë së Shkencave dhe fuqinë që i jep ligji i ri.
Megjithatë Hoxha pranon se ky nuk është modeli më i mirë për shkencën krahasuar me ligjet e vendeve europiane.
Konferenca e rektorëve mbetet kritike ndaj nenit të pandryshuar për këshillin kombëtar të shkencës i cili do të drejtohet nga kryeministri. Pavarësisht kundërshtive, gjatë diskutimeve të draftit, universitetet arritën të fitonin vetëm një anëtar më shumë, por sërish janë në minorancë përballë politikës.
Projekligji për shkencën ishte një nga më të kundërshtuarit nga stafet akademike dhe institucionet e arsimit të lartë. Sipas tyre, varianti i mbërritur në kuvend fuqizonte Akademinë e Shkencave në dëm të autonomisë dhe lirisë akademike të universiteteve.
Me ndryshimet e propozuara nga grupet e interesit, politika miratoi një ligj që kënaqi disi Universitetet, por pa cenuar Akademinë e Shkencave, tashmë edhe më të fuqizuar me institutet e saj. (A2 Televizion)