Zjarr tek Inceneratori i Elbasanit

Nga Belinda Ruçaj
9 Nëntor 2024, 12:10 | Aktualitet

Prej mëngjesit të sotëm, një vatër zjarri është përhapur në pikën e grumbullimit në inceneratorin e qytetit të Elbasanit. Për disa orë rresht, mjegulla e shkaktuar nga tymi mbuloi qytetin e Elbasanit dhe më së shumti zonën periferike të Bradasheshit. Edhe pse ky është një problem i ngritur për shumë mbledhje radhazi të Këshillit Bashkiak Elbasan, ende nuk është dhënë një përgjigje konkrete për incenerimin e mbetjeve nga një incenerator që nuk është vënë në funksion përveç tre muajve në prag zgjedhor.

Kryetari i Partisë Demokratike të Elbasanit, Blendi Himci, denoncoi edhe një herë përpara dyerve të inceneratorit këtë akt të paprecedent që po u merr frymën banorëve të qytetit të Elbasanit. Ai shprehet se kjo është një zjarrvënie e qëllimshme për të fshehur mega-vjedhjen që po ndodh pranë shoqërisë Eco Alb. Ata i bënë thirrje SPAK-ut për të marrë masa për këtë katastrofë ekologjike që po dëmton rëndë qytetarët elbasanas.

Edhe pse tentuan disa herë të hynin në ambientet e inceneratorit, Kryetari i PR-së, PD-së dhe anëtarët e opozitës nuk u lejuan të hyjnë.

I vendosur që prej prillit të 2017-ës, kur nisi për herë të parë puna në inceneratorin e Elbasanit, u premtua se impianti do të shkulte ‘kancerin’ mjedisor duke prodhuar energji nga plehrat. Por, edhe sot e kësaj dite, qytetarët elbasanas vuajnë bashkëjetesën me grumbullin e mbetjeve në katastrofën mjedisore të shkaktuar, e që herë pas here i vihet zjarri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos