Studentët i kthehen auditorëve të Universiteteve. Afro 120 mijë të rinj kanë nisur vitin e ri akademik në të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat.
Nga e hëna e 7 tetorit, rreth 20 mijë ish-maturantë janë studentët më të rinj të shkollave të larta. Por si ishte dita e parë për disa nga më të rinjtë e universiteteve?
Ndërsa më të rinjtë e Mjekësisë së Përgjithshme, sipas traditës, kanë bërë “Betimin e Hipokratit” për të veshur më pas bluzat e bardha, uniforma që do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës universitare dhe profesionale.
Për studentët e mjekësisë këtë vit akademik nuk do të ketë kontrata detyruese dhe as ndryshim tarifash. Ligji i sapo miratuar nga parlamenti për qëndrimin në atdhe të studentëve të Mjekësisë deri 3 vjet pas studimeve, do të hyjë në zbatimin vitin e ardhshëm akademik 2025-2026.
Deri më tani në universitete janë realizuar 60% e kuotave. Ndryshe nga Mjekësia, Informatika, Arkitektura apo programet e Elektronikes, degët e mësuesisë janë në krizë për studentë. Si në Tiranë edhe në rrethe, numri i studenteve në këto programe numërohet me gishtat e dorës. Pavarësisht shifrave të ulta të studentëve në mësuesi, Ministrja e Arsimit e pyetur nga A2 CNN tha se asnjë program nuk rrezikon të mbyllet.
Gjatë një vizite ne universitetin Politeknik ministrja Manastirliu u përball edhe më të rinjtë e Lëvizjes për Universitetin që këtë vit akademik denoncuan largimet e të rinjve nga vendi.
Ndërsa e pyetur nga media Manastirliu tregoi se kë Universitet zgjodhi vajza e saj për studimet e larta.
“Vajza ime është studente e vitit të parë në Universitetin Politeknik. Ndjek degën e arkitekturës”, tha ministrja.
Regjistrimet në Universitete do të vijojnë deri në mes të muajit tetor dhe sipas Rrjetit Akademik Shqiptar këtë vit numri i të regjistruarve është më i lartë se një vit më parë (A2 Televizion)