Klasi i energjisë së pajisjeve, nisma: Bizneset etiketim më të detajuar, gjoba nëse nuk zbatohen

Nga Marinela Lina
16 Nëntor 2023, 15:47 | Ekonomi

Nëse një produkt elektroshtëpiak konsumon shumë apo pak energji elektrike, për qytetarët është e vështirë të dallohet, nëse nuk përcaktohet në etiketën shoqëruese, duke e lënë blerjen e tyre në dorë të vullnetit të shitësit për ta shpjeguar ose jo.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar disa ndryshime ligjore sipas të cilave çdo produkt do të ketë të përcaktuar nivelin e eficencës së energjisë nga pajisjet me konsum të lartë deri tek pajisjet me konsum më të ulët.

Për ta kuptuar më qartë, nëse në një lavatriçe, eficenca ose thënë ndryshe niveli i konsumit të energjisë elektrike përcaktohej me emërtimin A deri në A+++, tashmë formati i etiketës do të përmbajë shkronjat nga A-G. Sipas ekspertëve të energjisë zbatimi i nismës do të shmangte edhe abuzimet në tregje.

“Përsa i përket etiketave kjo është një nisëm për t’u përshëndetur sepse selekton produktet që vinë nga importi si elektroshtëpiaket dhe duhen produkte që i kanë humbjet më të pakta dhe rendimentin më të madh. Qëllimi është që humbjet të minimizohen dhe kjo do të realizohet nëpërmjet këtij projektligji”.

Si furnizuesit apo dhe tregtarët do të kenë detyrime të reja në drejtim të etiketimit të produkteve për klasin e energjisë. Përveç informacionit në lidhje me konsumin e energjisë së produktit, si furnizuesit apo dhe tregtarët  duhet të përcaktojnë në etiketa të dhëna specifike për veçori të tjera përkatëse të përdorimit, të tilla si emetimet e zhurmës së produktit ose konsumin e ujit.

“Tregu është i mbushur me pajisje të tilla plot pastaj ka dhe pajisje të përdorura second hand dhe këto nuk i plotësojnë kushtet energjetike. Abuzimet që mund të bëjnë tregtar të ndryshëm  janë të larta përsa i përket etiketave sepse pajisja mund të mos jetë e klasit të lartë të energjisë elektrike por mund të manipulohet dhe mund të ketë ndërhyrje dhe ata që do e pësojnë do jenë qytetarët", thotë eksperti i energjisë Azmer Duleviç.

Draft-ligji në konsultim publik thotë se për ecurinë e këtij procesi parashikohen vështirësi në inspektimet ndaj këtyre etiketave për shkak të përdorimit të gjerë të pajisjeve. Por dokumenti parashikon gjoba të forta nëse furnizuesit dhe tregtarët shkelin detyrimet ligjore. Ato do të variojnë sa dhjetëfishi deri në pesëdhjetëfishin e çmimit për njësi të produktit të ofruar për përdoruesin fundor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos