Ç’kuptojmë me inflacion 3.8%? Dallimi i rënies me ngadalësimin e rritjes së çmimeve

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2023, 16:31 | Ekonomi

Luhatjet e inflacionit duket se nuk ju bëjnë përshtypje qytetarëve për aq kohë sa nuk përkthehet në më pak harxhim lekësh për xhepat e tyre. 

3.8% është norma më e ulët e rritjes së çmimeve që prej tetorit 2022 ku dhe inflacioni arriti nivelin më të lartë. Por a e kuptojnë qytetarët çfarë do të thotë një rënie e këtij treguesi?

Nëse ndalemi në një prej produkteve, në rastin konkret patatja, në vitin 2021 nëse ky produkt shitej për 100 lekë, në muajin tetor 2022 me inflacionin 8.3%  u rrit në 108.3 lekë. Ndërsa në vitin 2023 për një inflacion 3.8% çmimi i këtij produkti arriti në 112.1 lekë. Thënë ndryshe çmimi nuk u ul por vijojë rritjen e ngadaltë.

Për muajin tetor grupi i ushqimeve sipas INSTAT u shtrenjtua me 7.4% më shumë. 

“Ulja e inflacionit do të thotë që ritmi i  rritjes së çmimeve sështë më aq i lartë por dhe ato që shprehin rritjet e çmimeve që reflektohen te inflacioni kanë tendencë për tu ulur. Duke mbajtur një nivel inflacioni 3% praktikisht dhe çmimet janë 3% mbi normalen  në atë që quhet pika e ekuilibrit në treg”, u shpreh eksperti Civici.

Brenda grupit të ushqimeve kategori të ndryshme vijuan rritjen e çmimeve. Zarzavatet përfshirë patate me 23.4%, pasuar nga “qumësht, djathë dhe vezë” me 8,4 %, “mish” me 7,9 %, “fruta” me 6,1 % etj.

“Ajo që ne kemi problematike në Shqipëri është që brenda nivelit të përgjithshëm të inflacionit, inflacion më të lartë kanë produktet e shportës. Dhe janë ato dhe çmimet e tyrë që ndikojnë në grupet vulnerabël dhe nivelin e varfërisë që ne kemi sot?”, shtoi Civici.

Sipas ekspertëve qytetarët do të vijojnë përballen me çmimet e larta derisa të arrihet objektivi i Bankës së Shqipërisë prej 3%.

A2 CNN Livestream

A2 Sport