Spiralja e krizës së çmimeve që vijon, por gërryen ato pak të ardhura të shtresave më të brishta të shoqërisë, pa kursyer edhe fëmijët me sindromën “Down”. Shqetësimi i ngrit nga përfaqësues të organizatave me në fokus këtë kategori në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
“Ndaj ne kërkojmë që pagesa mujore e tyre të indeksohet n dhe fondi të përfshihet në buxhetin e vitit 2024”, u shpreh Rezarta Çaushaj nga “Down Syndrome Albania”.
Pakënaqësi ndaj fondeve të përcaktuara në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm shprehën edhe përfaqësues të organizatave e sindikatave të të drejtave të punonjësve.
“Me këtë buxhet, Shqipëria do të vijojë të mbetet e fundit në Rajon për shpenzimet për shëndetësinë në raport me shpenzimet totale. Shëndetësia po rezulton të mos jetë prioritet për qeverinë”, deklaroi Redina Çanaku nga “Together for Life”.
“Ky buxhet nuk është as i ri e as ndryshe. Është vazhdim i buxheteve të mëhershëm që nuk kanë sjellë ndonjë kontribut të madh për ekonominë”, u shpreh Kol Nikolla nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.
Po ankesat e përfaqësuesve të shoqatave e sindikatave nuk gjetën dakordësinë e zëvendës-ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli.
“Ky është buxheti më i madh i akorduar ndonjëherë dhe fondet në raport me vitin 2023 janë në rritje”, tha zëvendësministrja Mira Rakacolli.
Vitin e ardhshëm, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale do të ketë në dispozicion 78.2 miliardë lekë ose 2.5 miliardë lekë më shumë se aktualisht.
Krahasuar me vitin aktual, më shumë fonde do të shpërndahen për shërbimet parësore ku përfshihen ato të urgjencës me 1.3 miliardë lekë më shumë, pasuar nga dytësore 0.8 miliardë lekë dhe të shëndetit publik 0.3 miliardë lekë. Më pak lekë do të shkojnë drejt përkujdesit social dhe të përndjekurve politikë. (A2 Televizion)