Sondazh: Ku do e kaloni natën e ndërrimit të viteve?
  • Famije 76%
  • Restorant/bare 7%
  • Jashtë vendit 17%

Mund të blesh gjithçka “cash”, Shoqata e Bankave propozon tavan 750 euro për pagesat në dorë

Nga Marjo Brakaj
14 Nëntor 2023, 16:11 | Ekonomi

Për të blerë një automjet, apartament, apo çdo mall e shërbim tjetër të kushtueshëm, sot shqiptarët mund të paguajnë kesh të gjithë shumën, pavarësisht se sa e lartë mund të jetë ajo. Por duke ndjekur rekomandimet e Komisionit Europian, Shoqata e Bankave rekomandon vendosjen e një tavani për pagesat “cash”, në vlerën e jo më shumë se 750 eurove.

“Nisma që ka të bëjë me formalizimin e pagesave është e mirëpritur, por duhet të jetë e mirë-menduar. Ka ardhur realisht koha që edhe ne të bëjmë si vendet e tjera,” shprehet Bora Feri, eksperte e sistemit të pagesave.

Në ekonominë shqiptare qarkullojnë aktualisht rreth 1.63 trilionë lekë, nga të cilat mbi 400 miliardë apo gati 24 për qind e totalit, jashtë sistemit bankar. 

Ekspertë të sistemit të pagesave vlerësojnë se caktimi i këtij tavani nga njëra anë do të ulte sasinë e parave jashtë bankave e nga tjetra do të ndihmonte qytetarët në veçanti dhe ekonominë në përgjithësi.

“Përfitimet janë në drejtim të sigurisë, po ashtu edhe të uljes së informalitetit. Gjithashtu rritet konkurrenca e ndershme dhe eliminohet korrupsioni.”

Me gjithë përparimin në drejtim të pagesave digjitale, Shqipëria mbetet pas vendeve të tjera të Rajonit. Një raport i fundit i Bankës Botërore tregoi se Shqipëria ka përqindjen më të ulët të popullsisë mbi 15 vjeç që përdor pagesa digjitale. 

“Kjo kryesisht si pasojë e problemeve infrastrukturore, por edhe kostove relativisht të larta që kemi ne në Shqipëri.”

Maqedonia e Veriut është një prej vendeve që ka miratuar një normë tavan prej 500 eurosh për pagesat në dorë. Aktualisht, legjislacioni shqiptar përmban kufizimin për pagesat kesh vetëm për bizneset të cilat janë të fiksuara në maksimalisht 150 mijë lekë.

Ditari A2 CNN