Apeli i Posaçëm lë në fuqi dënimin për ish-kryebashkiakun e Fushë-Arrëzit, Fran Tuci

Nga Armand Bajrami
12 Shkurt 2024, 15:38 | Kronikë



Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-kryebashkiakun e Fushë-Arrëzit, Fran Tuci.

Ish-zyrtari u fajësua për “shpërdorim të detyrës”, pasi lejoi ndërtimin e një rruge për një zonë rurale, pa miratuar më parë një leje dhe projekt, duke dëmtuar një pyll me vlerë 234 milionë lekë.

Për të njëjtën akuzë, Apeli la të pandryshuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-administratorin e Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku.

Ndërsa për Durim Margjekajn, aksionerin e shoqërisë që kreu punimet u konfirmua dënimi me 3 vjet burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit fituan uljen e një të tretës së dënimit.

Përfundimisht, në zbatim të vendimit të Apelit, dy ish-zyrtarët duhet të vuajnë nga 1 vit burg, ndërsa ndërtuesi Margjeka 2 vjet.

Ish-kryebashkiaku socialist, Tuci, u arrestua në korrik të vitit të kaluar. Hetimi ndaj tij nisi pas një kallëzimi të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtës së Territorit, që vlerësoi së dëmi i shkaktuar fondit pyjor nga rruga e ndërtuar shkonte në vlerën e 234 milionë lekëve.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli